Mjeku Besnik Jakaj, i ftuar në studion e e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2 CNN, radhiti shkaqet e shtimit të sëmundjeve të zemrës në popullsi.
“Vitet e fundit janë shtuar të sëmurët me problemet e sistemit kardiovaskular. Janë të shpjegueshme edhe për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, ushqimeve që konsumojmë, mungesës së sportit dhe ndotja e ambientit. Këto ndikojnë në sëmundjet e zemrës”, u shpreh fillimisht doktori.
Ai shtoi se nuk duhet përjashtuar edhe fakti që njerëzit vizitohen më shumë kohët e sotme.
“Element është edhe rritja e mundësisë për t’u diagnostikuar. Njerëzit janë më të kujdesshëm, më të ndërgjegjësuar dhe paraqiten në kohë te mjeku. Ne kemi të sëmurë, kemi spitale, kemi mjekë, kemi edhe barna, por nuk kemi një sistem shëndetësor të programuar për parandalimin e sëmundjeve dhe nuk kemi një databazë të plotë. Databaza nuk është e plotë sepse spitalet private nuk raportojnë, kemi shumë qytetarë që shkojnë jashtë për t’u kuruar edhe për gjëra që mund të kurohen shumë mirë në Shqipëri”, shtoi Jakaj


