125-vjetori i vdekjes së shkrimtarit të madh Naim Frashëri

spot_img
Advertisements

Nga Shefkije Islamaj

NJË GJEDHE E GJUHËS POETIKE

(Shkruar e botuar 30 vjet më parë, në rev. “Stil”, SHSHM, Shkup, 1995; botuar edhe në librin tim ”Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, TOENA, Tiranë, 2002.)

Kur studiojmë ose analizojmë një vepër poetike, më në fund edhe vetëm një poezi, është e rëndësishme të zbulohen e të analizohen jo vetëm përmbajtja, struktura e përbërës të tjerë poetikë të saj, po sidomos është e rëndësishme të përcaktohen bartësit kryesorë të mesazhit, të identifikohen përbërësit që formësojnë mesazhin, dhe që në bazë të shqyrtimit të tyre, të gjendet një rrugë vetjake e interpretimit sidomos të gjuhës dhe të stilit së saj. Ky shkrim është një sprovë e tillë rasti, e lexuar në Takimet letrare «Ditët e Naimit», mbajtur në Tetovë në 95 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit.
Në Shqipërinë e kohës së Naim Frashërit më shumë janë dëgjuar topat se ç’kanë kënduar muzat, kurse dihet se kur kërcasin topat, muzat heshtin. Megjithatë në Shqipërinë e topave, në Shqipërinë e lodhur e të brishtë, në Shqipërinë që po përpëlitej të lirohej nga zinxhirët e rëndë shumëshekullor, një muzë, për fat jo e vetmja, po shpaloste mrekullueshëm botën e vet mendimore e ndjenjore, po shpaloste dashurinë, dëshirat e vizionet për trenomin e shenjtë Shqipëri, shqiptar, liri; po shpaloste poetin e madh të shekujve shqiptarë, që po i bënte hije mbrojtëse dje, krenari e shtysë sot. Poeti Sheli ka pasur të drejtë kur ka thënë se për çfarëdo që flet poeti, ai është gjithmonë pasqyrë e hijes, të cilën ardhmëria ia hedh të sotmes, ai është kasnec i ardhmërisë, Promethe që vjedh fatin.
Njeriu lind dhe vdes, pavarësisht se çfarë është jeta e tij, por Naimi na bind se njeriu nuk vdes, madje rilind çdo ditë. Prandaj, e ndiejmë sot aq afër nesh. Ai është këtu, fare pranë nesh: i ri e i madh me idetë, i qëndrueshëm me artin, aktual me vizionet. I tillë ishte dhe mbeti sepse ai kishte një program krijues. Nuk është fjala për nismë të zakonshme ose për plan-ide spontane për krijimin e një vepre letrare, por për një program më shumë se letrar, për program politik e kombëtar të dhënë përmes artit. Anëvështrimi i tij e tejpamja e tij, janë aktuale për botën shqiptare, edhe për prirjen politike, më në fund edhe për besimin.
Edhe pse ideator shekullor, ai ishte edhe besimtar. Do të parapëlqejë tema universale, tema të pakapshme për njeriun e thjeshtë, tema filozofike. Çdo shkrimtar ka një model nga niset, një objekt – simbol rreth të cilit sillet në krijimtarinë e tij.
Poezia “Qielli” e Naim Frashërit është botuar në përmbledhjen poetike në persishte “Tehajylat” (Ëndërrimet”), botuar në Stamboll më 1884, kur ishte 38 vjeçar, dhe përkthyer mrekullisht nga Vexhi Buharaja. Vexhi Buharaja, njohës i pashoq i kulturës lindore, si thonë ata që e kanë njohur mirë atë dhe veprën e tij, me përkthimin e veprave të Naimit të shkruara në persishte, dëshmon përgatitje të lakmueshme gjuhësore, leksikore-letrare dhe shije të hollë si artist e përkthyes. Këtë e dëshmon mirë, më në fund, edhe poezia “Qielli”, e cila në shqipen na ofron një përmasë të re të poezisë së Naimit, dhe e provon mendimin e shprehur, jo rrallë nga studiuesit e veprës së tij, se ai, Vexhi Buharaja, mund të krahasohet me Nolin në fushën e përkthimeve.
Në poezinë e tij “Qielli”, përmes së cilës zbulojmë mendjen e shpirtin e poetit, objekt – simbol është Perëndia, ndërsa si simbole ndihmëse – njeriu e qielli. Pikëpamja e veçantë për raportet zot – njeri i ka ndihmuar poetit të krijojë e të rikrijojë në mënyrë tërheqëse koncepte universale. Kjo poezi, është zgjedhur për një lexim gjuhësor e stilistik jo pse paraqet veçanti të jashtëzakonshëm poetike, madje mund të thuhet se ajo nuk dallon shumë nga poezitë e tjera me me këtë temë dhe me elemente filozofike, por për arsyen se paraqet një model gjuhësor të përshtatshëm për analiza çfarë na interesojnë, analiza që kanë për qëllim të zbulojnë botën krijuese të një shkrimtari, përmes përzgjedhjes gjuhësore dhe stilistike si identifikuese të parimit të tij krijues artistik. Poezia “Qielli” nuk mund të vendoset lehtë në skema të qëndrueshme dhe të vlerësohet me kritere standarde, të pranuara për një tip tjetër të poezisë dhe të një strukture tjetër. Ajo që e bën poezinë “Qielli” të veçantë e joshëse për gjuhëtarin janë paralelizmat si konstante thelbësore të saj, që përvijohen si një fill i pashkëputshëm në gjithë përbërësit e saj letrarë e jashtëletrarë. Paralelizmat na shfaqen me parimësi e me rregullsi në gjithë poezinë. Çiftet paralele zbulohen në leksik e në sintaksë, siç janë cilësorët paralelë dhe grupet sintagmatike paralele, si veçori stilistike e dukshme, ndërsa shquhen sidomos paralelizmat në krahasimet si dhe në rrafshin e ideve e të asociacioneve. Edhe subjektet na paraqiten në çifte kundërvënëse e përplotësuese me rryma paralele të shpërthimit të ndjenjave.
Ndërmjet strukturave ligjërimore paralele, kundërvënëse e përballëse, ose të vendosura në mënyrë aktive në poezi, krijohet fushë e vërtetë e tendosjes ndjenjore e gjuhësore, qark i caktuar i shpërthimeve të shqetësuara, një hapësirë e çuditshme, në të cilën veprojnë njëkohshëm reflekset e njësive narrative të kundërvëna me plot dinamizëm. Këto reflekse janë një aspekt i ekzistencës dhe i veprimit të kësaj njëmendësie poetike e gjuhësore, të formësuar mirë, të kësaj njëmendësie që nuk ekziston jashtë raportit të ndërndikimeve – të njëmendësisë së parrokshme a të paimagjinueshme jashtë kësaj përballjeje.
Zbulimi, gjallërimi dhe drejtimi krijues i këtyre rrezatimeve të padukshme ndërlidhjeje dhe ndërveprimi – të cilat i lidhin fenomenet edhe në largësi (tokë/qiell) – janë përcaktuesit parësorë të qëllimit të poetit. Ndonjëherë, krijohet përshtypja se përsëritja, përtëritja dhe dyfishimi i paralelizmave, të shfrytëzuara me tepri, mund të ndikojnë negativisht në shprehjen e kursyer, por bie në sy menjëherë se kjo është një brengë e zgjidhur, e zgjidhur suksesshëm nga shkrimtari. Krijohet, madje, përshtypja se pikërisht përballja a kundërvënia e njësive paralele shndërrohet në nje ekonomizim të veçantë shprehjesor, jo vetëm pse ky është veprim shumë i efektshëm për të arritur ndërveprime të caktuara ligjërimore, por pse pikërisht me përsëritjen forcohen gjysmat e lidhjeve (paralele) dyfishe, për t’u kuptuar më lehtë gjysma tjetër. Kjo vlen për të gjithë tipat e paralelizmave, të formësuar qartë, të krijuar në bazë të njëjtësisë, ngjashmërisë ose përdallimit. Poeti sikur nuk ka besim në përfundimin e një fjale, të një mendimi. Prandaj, para se të vendosë një subjekt a objekt poetik, qoftë edhe hipotetik, ai na udhëzon kah vargu i pandërprerë i pararojave të tij letrare.
Që në vargjet e para krijohet pamja themelore – qielli, hapësira e pafund, bukuria e mahnitëse, frika nga përmasat kozmike, pastaj ajo që i paraprin dhe që e pason, si dhe lidhja midis tyre – sintetizimi: fuqia, arsyeja e ekzistencës, fshehtësia; qielli – burim i jetës, lindja e botës së re, gjithçka i paracaktohet asaj, gjithçka sillet e vërtitet përkryeshëm si një sistem i përsosur, që s’mund ta projektojë kush, pos një fuqi që nuk njihet ndryshe, veç si krijues i gjithësisë – Perëndia. Këtu arrin pikën kulmore poezia, ndërsa lexuesi lehtas e vetvetishëm përjeton vlera të reja e të larta të atmosferës poetike e gjuhësore. Ky përjetim nuk pengon mbikëqyrjen e subjektit poetik. Ai rrjedh lirshëm si në gjithë poezinë e tij, theksueshëm lirike.
Naimi nuk befason pas çdo vargu e njësie. Ai pa shtrëngesë përsërit forma e gjedhe, të cilat dëshmohen, pa dyshim, të vlefshme, të paharxhuara me përvojën dhe të palënduara estetikisht me kohën.
Kur në morinë e kaq veçorive të një poezie të frymëzuar, siç është “Qielli”, veçohet për analizë një dorëz e kufizuar të veçantash, në mënyrë të vetëdijshme pranojmë edhe një shqyrtim të kufizuar të saj, sepse artin e poezisë nuk e bëjnë as fijet e veçanta, madje të trajtuara veçmas, as vlerat e bashkuara. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë nuk është e pa rëndësi që të kuptohen e të vlerësohen gjithë vlerat e saj, të paraqitet natyra e pranisë së tyre në poezinë dhe mënyra e funksionimit të disa përcaktuesve kryesorë të strukturës poetike e gjuhësore të poezisë. Poezia “Qielli” mundëson analiza të tilla, të përgjithshme, të veçanta, të përimëta e të thella dhe, jo vetëm në rrafshet e ndryshme gjuhësore, por edhe në rrafshin e pasurisë së risive burimore.
Qindra e qindra vargje të Naimit janë krijuar në përpjekjen për të formësuar shprehjen më të plotë estetike, e cila në rrugën më të shkurtër e më të përshtatshme do të bartë zërin e tij, idetë e tij, zë dhe ide lehtë të identifikueshme edhe sot, si një paralajmërim i shkallëshkallshëm, i qëndrueshëm, në të vërtetë një si paralajmërim i asaj që ka ndier ai aq fuqishëm. Ky zë – paralajmërim, si strukturë individuale e ligjërimit poetik, paraqitet i realizuar në disa rrafshe. Ajo që vjen, i shfaqet poetit para se të jetë gati të hyjë tërësisht në poezi, para se të marrë formën gjuhësore. Shfaqen kështu skajet e temës, të subjektit, të përzgjedhjes poetike e gjuhësore. Çdo gjë lind para lindjes, në mënyrë që të kuptojë se ku gjendet, se ku është i shtrënguar të krijohet e të jetojë, artistikisht e gjuhësisht. Dhe kur e ndien se ndjenja ka gjetur terren të përshtatshëm poetik e gjuhësor, për të jetuar e për të mbijetuar si zë i ndërgjegjes, i botëkuptimit, terren i gjetur poetik, ai e materializon muzën e tij në shtratin gjuhësor, e këtu i ndihmon fort shqipja, gjuha shqipe që e deshi aq fort e që i këndoi aq bukur e aq pavdekshëm. Përmes tejpamjes së tij për të ardhmen e dëshiruar, ai ka gjetur mundësi të hedhë vështrimin në paraardhmërinë, në të sotmen tonë, edhe pse, poeti, druan nga e panjohura, nga e ardhmja. Dhe, me të drejtë, ka arsye. Mes drojës, shqetësimit e fërgëllimës, imagjinata e tij prek të ardhmen, atë që mund të vijë ose që do të vijë patjetër, dhe i hedh një vështrim poetik asaj që e pret si njeri, si qenie – botën, në të cilën duhet të zgjohet, i shqetësuar para fatit, dhe me dyshimin e pyetjen: pse njeriu është aq i vogël – para Qiellit, para gjithësisë, para Perëndisë, e aq i madh para idealeve, dëshirave, dashurisë. Tejshikimi e bën të tejdukshëm.
Struktura e poezisë është dhënë në dy bashkime të vogla, por me informacione të dendura. Veprimi poetik është atraktiv nga shumë kënde. Poezia fillon me vargjet:

“Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë,
Fllad i ëmbël, toka e hapur ka stolitë,
Zogu i mëndjes, po më sulet drejt nga qielli,
N’hapësirat plot me afsh e dritë dielli.
Herë bëhet shok e mik me yjet vetë,
Herë deri te çerdhja e Kashtës shkon përpjetë.”

Autori na del aktori qendror që i drejtohet qiellit. Ai thuajse di të gjitha përgjjigjet që lidhen me atë det të pakufishëm pyetjesh.

”Ç’është, ç’është kjo – e paana Gjithësi?
Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti? ”

Pyetja provokon dhe përmban përgjigjen. Shumësia e pyetjeve dhe shumësia e përgjigjeve të mundshme, në pikëpamje gjuhësore, nga aspekti i komunikimit të natyrshëm, dalin të papritura, ndërsa invencioni i shprehjes bëhet edhe më i theksuar, por i pritur, për çka poeti vazhdon të pyesë.

”Ç’janë vallë këta trupa gjithë zjarre?”

Për të dhënë përgjigjen e mundshme imagjjinare:

“Përplas krahët Kashta e Kumtrit ngadalë,
Posi shtërgthi mu në çerdhen ku ka dalë.”

Aktorët e qiellit janë yjet, dritat që lëshojnë ata, sfondi i kaltër qiellor, gjithë ajo botë plot shkëlqim, por shkaktari i disponimit të përnjëhershëm poetik të Naimit është njohja e beftë se Perëndia është ai që ka “vetëtimë a zjarr vështrimesh, një shkëlqim që s’ka fillim e s’ka mbarim.” Epërsinë e Perëndisë karshi njeriut aq të pafuqishëm, autori na e thotë në fund të pjesës së parë: “Se vështrimet e njeriut të shkurtër janë”.
E gjithë poezia derdhet gjuhësisht në mënyrë origjinale. Në pjesën e dytë poetin e kaplojnë ndjenja të veçanta. Ai ka përgjigjet e gatshme për pyetjet e shtruara më herët.
“Nuk është kashta e Kumtrit ajo që shpërndan dritë”, po “Drita, hiri i Krijuesit të fuqishëm”, për të vazhdur menjëherë me vargjet që shprehin qartë botëkuptimin e tij filozofik e fetar: “Çdo gjë vdiret veç fytyrës së atij”.
Në kthesën që pason poeti i drejtohet njeriut. Përcaktuesi është vendosur në pjesën qendrore të poezisë. Poeti i kthehet gjendjes zero të sendeve, pastërtisë fenomenale të botës, me shikim të shpeshtë në situatat ekzistenciale kufitare. Krijon dhe mat sipas parimeve e sistemsisë kozmike – tokësore, dhe sipas logjikës ndërnjerëzore e ndërfetare.

“Se ç’do të bëhen pas kësaj më s’di ç’të them,
Pas kësaj, ah, s’do të jem, jo s’do të jem…”

Kështu rishtazi lind një botë e paparë, e papërjetuar dhe e paëndërruar, në të cilën lëvrin, njëjtëson dhe në të njëjtën nyjë lidh qielloren e tokësoren, kalimtaren dhe të përhershmen, të perëndishmen dhe të demonishmen, njerëzoren e jonjerëzoren, të gjallën e të vdekurën, të largëtën dhe të afërmen, të lashtën e të sotmen, të lartën a sipëroren me trivialen, të arsyeshmen dhe jo të arsyeshmen. Ontologjikja shndërrohet në poetikë.
Dy janë bartësit qendrorë të kësaj poezie: poeti dhe perëndia, ndërsa qendra, në vargje, lëkundet në mënyrë alternative herë te njëri, herë te tjetri bartës. Harmonia ritmike është krijuar nga disa segmente morfologjike, leksematike, po edhe fonologjike. Edhe pse poeti nuk është rob i rregullsisë së ngurtë, që me çdo kusht të vendoset harmonia formale, hetohet se numri i elementeve, i njësive të tjera dytësore, të rrafsheve të ndryshme gjuhësore, të përdorura këtu, janë edhe në funksion të muzikalitetit, për çka ekzistojnë mjaft të dhëna për analizë përkatëse. Mjafton të hetohet frekuenca e lartë e fonemave me tonalitet, po ashtu të lartë, posaçërisht e zanoreve, ndonëse as frekuenca e bashkëtingëlloreve me tonalitet të lartë nuk është më e ulët; përdorimi i disa leksemave poetike shpesh të papritura, herë edhe arkaike (vdiret, plaknë e vdarë, mosgjë); origjinaliteti i theksuar i elementeve leksikore poetike (e fshehta qiellore, gojë njerëzore, qiell dritëderdhës, pamjedlirtë, madhështi e llagartë, endacake pa qëndrim e pa shtëpi); rendi i fjalëve, edhe pse i zakonshëm, na del interesant, një sintaksë shpesh e përmbysur me efekte stilistike e mjaft origjinale: “Gjer te – e qiellit e fshehta ti mos shko”; “Një të madhe mençuri fsheh ti në gji”; ose: Kjo e kaltër hapësirë e paanë”.
Vërehen elemente karakteristike që ndeshen edhe në poezinë e sotme, në të vërtetë vërehet shprehje poetike theksueshëm e lirë.
Poezia «Qielli» është një përjetim i dallueshëm personal, himn për jetën. Pothuajse çdo gjë është në veprim, çdo gjë funksionon me plot muzikë, me shprehësi tingullore fund e krye.
Harmonia tingullore dhe muzikaliteti shënojnë një shkallë të lartë. Numri më i madh i vargjeve përfundon me rrokje të hapur, një karakteristikë e poezisë së traditës, po edhe në një numër poezish bashkëkohore.
Mesazhi poetik i poezisë «Qiellit» parandihet lehtë, ashtu si përgjithësisht në gjithë poezinë bashkëkohore. Por, ndërthurja në vargje, gdhendja dhe përpunimi i shprehjes gjuhësore e poetike është shumë vetjake dhe karakteristike, prandaj mund të thuhet se me disa gjedhe, sikur që e gjejmë në poezinë «Qiellit», Naimi mund të konsiderohet pararëndës, udhëçelës, i poezisë moderne, ndonëse nuk është lehtë gjithmonë të provohet arsyeja e veprimit të tillë krijues. Kridhja në botën mistike, në botën e pagjurmuar, të njohur e të panjohur edhe sot, në botën e simboleve, dhe mesazhi i poetit kanë përcaktuar edhe kërkimin në fushën e faktorëve formalë, pra edhe të atyre gjuhësorë, me të cilët ai tregon veçoritë e dhuntisë së tij, siç shpalosen edhe në poezinë «Qielli».
Veprimi dhe strategjia poetike e gjuhësore, të zbatuara me kaq larmi e përsosmëri në të gjitha nivelet, në gjithë poezinë e e tij, edhe në poezinë «Qielli», qesin në dritë një gjedhe të shkëlqyer të gjuhës poetike.

Maj 1995

Latest articles

Related articles