33 persona, me në krye vëllezërit Franc dhe Hajda Çopja, bashkë me Talo Çelën, janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Posacme nga SPAK.
Prokuroria i ka zbërthyer bisedat në aplikacionin e koduar SKY ECC për të zbuluar fijet e grupit nga Elbasani, që shtinin trafikun e kokainës, nga Amerika Latinë, në Holandë, Belgjikë dhe Angli.
Në njoftimin e SPAK sqarohet se në dosjen e dërguar për gjykim në GJKKO janë të pandehur Franc Gergely alias Franc Çopja, Hajdar Bako alias Hajdar Çopja, Mikael Qosja (Kamami) alias (Stefo), (Stefa) Talo Çela, Altin Ndoci, Arzen Mama, Eljo (Ervis) Bitri, Maksim Koçi, Dashnor Dumani, Ado Xhika, Arzen Hysa Çopja Xhimi Hoxha, Guri Biba, Leonardo Ramani, Ervis Daka, Flobenc Meçja alias Flobenc (Drini, Gega) Altin Kamami, Martin Musaj, Agustin Çinari, Arben Lamçja, Arjan Ormenaj, Dorian Dyli, Maklen Mici, Bashkim Lika, Klajdi Merkaj, Armis Stafa Renato Musaku, Rexhino Doçi, Matilda Hoxholli, Pajtime Fetah, Denada Toda, Klodian Sinameta dhe Leon Ramani.
Sipas SPAK, veprimtaria kriminale e këtij grupi kriminal nis që nga viti 2006.
Hetimet treguan se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar, zgjeroi veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht të kokainës.
Ata janë përfshirë në 6 vrasje me pagesë dhe 12 tentativa për eleminimin e kundërshtarëve. Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës.
Në vitin 2018 filloi vrasjen e kundërshtarëve (përmes ekzekutimeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë. Vetëm Erjon Alibej i janë bërë 4 atentate.
Bashkë me porositësit, vrasësit me pagesë dhe trafikantët, përpara gjykatës është dorëzuar dhe Pajtime Fetahu, ish gjyqtare në Elbasan, si dhe një sekretare gjyqësore që ka dhënë informacione për bandën, në këmbim të favoreve.
Prokuroria ka evidentuar dy raste, kur vëllezërit Copja kanë rekrutuar punonjëse të policisë, një në Durrës dhe një në Elbasan me qëllimin marrjen e informacionit dhe mbështetje operative.
Paratë e fituara nga trafiku i kokainës, u përdorën në Shqipëri në sektorin e ndërtimit.
përmes blerjes së pasurive të paluajtshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit, ku përmes personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme, “cash”.
Franc Çopja në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme “cash”, përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor exchange, brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar. Kjo bëhej me qëllimin për të kryer pagesën për ngarkesat e lëndës narkotike të llojit kokainë (në vendet e origjinës, Ekuador, Brazil, Kolumbi, Paraguaj dhe Bolivi), të vrasjeve apo investimeve për llogari të tyre, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Prokuroria ka sekuestruar mbi 40 prona të paluajtshme dhe llogari bankare të këtij grupi kriminal.