Ushtari i rrugës doli Ramiz Lladrovci, jo Memli Krasniqi në PDK! – ANALIZA

spot_img
Advertisements


Nga Ermal Peçi

Në politikë, rrallë ndodh që rruga t’i japë leksione partisë. Por këtë herë, në zemrën e Drenasit, ndodhi pikërisht ajo: populli i rrugës, njerëzit që nuk harrojnë kush ka qëndruar me ta në ditët më të errëta, shpallën fitues Ramiz Lladrovcin. Ironikisht, kënga “Ushtari i rrugës” dikur e kënduar me pasion nga Memli Krasniqi në ditët e tij të para me “Ritmi i Rrugës” u kthye në realitet politik, por në një mënyrë që askush në PDK nuk e priste: ushtari i rrugës nuk doli nga skena, por nga populli.

Ramiz Lladrovci nuk fitoi me makineri partie, me struktura, me pazare apo me slogane boshe. Ai fitoi sepse në Drenas ende ka një kujtesë që nuk blihet. Aty ku fjala “ushtar” nuk është metaforë, por plagë dhe nder. Aty ku rruga nuk është veç një hapësirë, por simbol i qëndresës, i krenarisë dhe i gjakut që ka derdhur histori, dhe kjo rrugë foli.

PDK, me gjithë aparatin e saj politik, me gjithë figurat e zbehura që përpiqen të menaxhojnë një trashëgimi që s’e kuptojnë më, doli humbëse përballë një njeriu që nuk kishte më as logon, as bekimin e tyre. Por kishte diçka më të madhe: besimin e njerëzve që e kanë parë në terren, jo në konferenca.

Fitorja e Lladrovcit është më shumë se një rezultat elektoral; është një akt rebelimi moral kundër shformimit të partive që kanë harruar nga dolën. Është kujtesa e gjallë se politika nuk është podium, por barrikadë. Nuk është retorikë, por përkushtim.

Në një vend ku shumë “ushtarë partie” janë kthyer në komandantë të interesit, Drenasi riktheu një “ushtar të rrugës” që nuk pranoi të nënshtrohej nga komandat e larta të partisë së vet. Ndoshta aty qëndron mesazhi më i fortë që del nga kjo fitore, ndonjëherë, rruga është më e urtë se selia.

Sot, kënga që dikur tingëllonte si himn rinor, “Ushtari i rrugës”, ka marrë kuptim tjetër. Jo si melodi e nostalgjisë, por si simbol i një realiteti që rikujton se idealet nuk zëvendësohen me poste. Memli e këndoi, por Lladrovci e jetoi, dhe në fund, rruga ia dha votën atij që nuk e tradhtoi.

Në Drenas, rruga foli.
Ushtari i rrugës nuk këndohet, por zgjidhet dhe këtë herë, ushtari i rrugës doli Ramiz Lladrovci.

Latest articles

Related articles