Për 6 mujorin e parë të këtij viti çmimet e shitjes së apartamenteve në Shqipëri janë rritur rreth 8 herë më shumë se çmimet në shtetet e eurozonës dhe BE-së.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë indeksi Fischer tregoi se në 6 mujorin e parë 2025 çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 41.7% në krahasim me një vit më parë.
Në shtetet e eurozonës sipas të dhënave të Eurostat çmimet e apartamenteve, të matura nga Indeksi i Çmimeve të Banesave, u rritën me 5.1% në tremujorin e dytë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të gjithë Bashkimin Europian, çmimet shënuan një rritje prej 5.4% nga viti në vit. Kjo përfaqëson një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, kur çmimet e banesave u rritën me 5.3% në eurozonë dhe 5.7% në BE.
Rritja e çmimeve të banesave në Shqipëri për 6 mujorin e parë krahasuar me ndryshimet në shtetet e eurozonës dhe vendet e BE-së është rreth 8 herë më e lartë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se tendenca e çmimeve të banesave në Bashkimin Europian paraqet diferenca të mëdha mes vendeve të ndryshme, por në asnjë shtet nuk paraqitet ndryshime çmimesh si në nivelin e Shqipërisë.
Nga shtetet anëtare për të cilat janë të disponueshme të dhëna, një shtet shënoi një ulje vjetore të çmimeve të banesave në tremujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa njëzet e pesë shtete shënuan rritje vjetore.