Sot përfundon afati tre javor i caktuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndaj prokurorëve të posaçëm për të shfaqur interes për pozicionin e drejtuesit të SPAK.
Deri më tani, në KLP kanë dorëzuar aplikime prokurorët Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnand Xholi.
Mandati i drejtuesit të SPAK është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje. Në 6 vitet e ekzistencës, SPAK është drejtuar nga Arben Kraja dhe Altin Dumani, me këtë të fundit që mbyll mandatin e tij në dhjetor.
Pas mbylljes së afatit, KLP do të ketë në dispozicion dy muaj për të shqyrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.
Profilet e secilit kandidat:

Prokurorja Doloreza Musabelliu është një nga katër kandidatët në garë për kreun e SPAK. Znj. Musabelliu është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një grua guximtare me pasion për ligjin dhe vënien përpara drejtësisë të kriminelëve. Ajo është me mbrojtjen të posaçme për shkak të kërcënimeve kriminale. Nga kolegët konsiderohet si një prokurore që merr përsipër gjëra, e pandikueshme. Ftohtë sipas ligjit. Njohje të mira të koncepteve civile dhe ekonomike, sidomos krimit financiar.
Musabelliu është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, dhe ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje.
Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës dhe masakrën e Lushnjes në vitin 2017. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017.
Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Musabelliu, sipas të penduarit të drejtësisë Artan Tafani është prokurorja që është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për ta eleminuar lidhur me masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.
Prokurori Adnan Xholi është një nga katër kandidatët në garë për kreun e SPAK. Një person i ekuilibruar që njeh kufijtë institucionalë dhe respekton kolegët. Ai është një njohës shumë i mirë i rrjeteve të narkotrafikut ndërkombëtar të drogës dhe ka bashkë me autoritete europiane dhe amerikane për të goditur grupet kriminale shqiptare. Konsiderohet nga kolegët si tip qetë, i shtruar për punë, luajal me kolegët.
Ai aktualisht është zv/drejtues i SPAK dhe shef i seksionit të krimit të organizuar. Xholi ka hetuar dhe çuar për gjykim dhjetëra grupe kriminale dhe ka zbërthyer dosje të SKY ECC.
Xholi punon prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë. Në janar të vitit 2018 me ndryshimet e kryera në organin e akuzës nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, prokurori Xholi u emërua në krye të Drejtorisë Gjyqësore.
Në vitin 2021 kaloi vettingun dhe që prej korrikut të 2021-shit iu bashkua trupës së prokurorëve specialë të SPAK. Më parë, ai ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Xholi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai gjithashtu ka qenë Drejtori i Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.
Klodian Braho është prokuror i SPAK. Ai u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut. Konsiderohet nga kolegët si tip i pavarur, inteligjent, nga të paktën që ka njohuri të thelluara të krimit ekonomike e financiare në vend.
Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.
Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.
Elvin Gokaj është prokuror në SPAK. Ai e ka nisur karrierën në vitin 2000 në Prokurorinë e Matit. Nga viti 2007 deri në 2013 ka qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në vitin 2014 është emëruar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ku më vonë ka mbajtur pozicionin e drejtuesit. Në dhjetor 2021 është emëruar prokuror në SPAK.
Ka hetuar disa çështje të profilit të lartë.
Z. Gokaj është një person me integritet të lartë, i ndershëm, besimtar dhe gëzon reputacion të mirë në forcat e zbatimit të ligjit, si person korrekt dhe trim.