Virion GRAÇI
Në secilin nga lëmejtë e jetës sonë shpirtërore dhe intelektuale: te historia, te etnografia/folklori, te gjuha e letërsia shqipe, emri dhe produkti krijues-historik-dituror i Pashko Vasës është objekt pune e frymëzimi, model dhe monument, njëkohësisht. Meritat e tij si shtetar, si çlirimtar krah njerëzve që synonin liri, pavarësi e përparim e theksojnë edhe më shumë rolin e tij në kohë, në histori, deri në ditët tona: të gjithë kanë çfarë mësojnë prej shembullit të Tij.
Nga këndi i sotmë i shikimit, Pashko Vasa shquhet së pari si figurë qëndrore e Rilindjes Kombëtare, ideolog e veprimtar i lëvzjes shpëtimtare për fatin e Shqipërsisë e të shqiptarëve, në periudhën kritike kur perandori multietike po shpërbëheshin, po krijoheshin shtetet kombëtarë dhe po luhej për jetë a vdekje fati i popujve si ne, numerikisht të vegjël, të ndarë prej shekujsh në qendra të ndryshme administrimi vendor dhe me përkatësi të ndryshme fetare. Pashko Vasa u idetifikua menjëherë me etninë e tij, u bë korife i shqiptarizmës që do të ishte formulë bashkimi, mbijetese e shprese.
Shkruan Mit’hat Frashëri për periudhën e Lidhjes së Prizrenit: ‘në Konstadinopojë ishte krijuar për të përhapur kulturën e famshmja “Shoqëria letrare”, në statutet e të cilës, të publikuara më 1879 shohim si figuronte roli i anëtarëve të saj kryesorë, si të krishterë ashtu dhe myslymanë, më aktivët: Sami bej Frashëri (vëlla i Abdyl bej Frashërit), myslyman, Efendiu Pashko Vasa (katolik nga Shkodra), Jani Vreto, ortodoks i Shqipërisë së jugut, i distriktit të Leskovikut…. Shoqëria e Konstadinopojës nxorri po në vitin e themeimit të saj një abece dhe një abetare… Pak kohë më pas Pashko Vasa publikoi veprën e tij të titulluar “Studim për Shqipërinë dhe shqiptarët”, vepër e cila u botua gjithashtu po atë vit në Paris dhe në përkthimin gjermanisht në Berlin; një përkthim në turqisht u bë nga Ali Danish bej Prishtina, anëtar i shoqërisë letrare por sulltani i sekuestroi të gjithë kopjet dhe libri u ndalua.’
Krahas veprimtarive e projekteve të përbashkëta idealiste-atdhetare, për zgjimin, iluminimin dhe organizimin e mbrojtjes së shqiptarëve, do të veçonim prej trashëgimisë letrare të Pashko Vasës poemthin e tij, “O moj Shqypni”; në periudhën tonë shtetërore, ajo ka qenë pjesë e formimit dhe edukimit të disa breznive në shkollat shqiptare; ka qenë pjesë e teksteve të zgjedhura për edukatë letrare, për vetëdije shoqërore e qytetare, krahas pjesëve si “Kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë”, apo poezive të muzikuara si “Për mëmëdhenë” e asaj “E dua më shumë Shqipërinë”, e grupit “Lira” u bënë të qenësishme, të përditëshme, në luftë e në paqe po aq sa dhe vetë “Himni i flamurit”, për shkak të përmbajtjes e të porosive që përçon me gjuhë të thjeshtë artistike e vrull orteku. Në periudhën para pavarësisë, kur po kristalizohej vetëdija jonë kombëtare poemthi “O moj Shqypni” luajti rolin e një beslidhjeje shpirtërore, kulturore-politike, për masat popullore, kudo ku flitej e mendohej shqip; ishte jo më pak ndikues, proverbial e largpamës se teksti i Sami bej Frashërit “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. “O moj Shqypni”, krahas “Istori e Skënderbeut”, nga Naim bej Frashëri, mysliman, si dhe traktati i sipërpërmendur i Samiut, krijuan një trini të shenjtë njësimi e emancipimi ku e gjenin veten në harmoni, shqiptarizmi, përkatësitë fetare dhe orientimi social-politik drejt kulturës dhe qytetërimit europian-perëndimor.
Duke i mbyllur këto radhë nderimi, në ditën e tij të lindjes, nuk mund të lëmë mënjanë faktin se Pashko Vasa, krahas posteve, titujve e dekorimeve të larta që pati, krahas vendit të pa lëkundshëm në radhën e parë të ideologëve shqiptarë, meritoi që në të gjallë të tij epitetin Shkodrani; u thirr shkodrani jo vetëm si mbiemër i dytë për arsye orientimi gjeografik, por si titull fisnikërie, epitet-emblemë shekullore e qytetit të tij: simbol dijeje, trimërie, kulture e atdhetarizmi. Kështu, në sinonimi, Pashko Vasa dhe Shkodra do të nënkuptojnë njëri-tjetrin edhe më tutje, në ardhmëri.
17 shtator 2025