Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të zgjedhur të PD-së Klevis Balliu, i cili përmes Facebook shkroi se kompania “Albarant Sh.p.k” e bashkëshortes së ministrit është përfshirë në një skandal financiar.
Sipas tij Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes Drejtorisë së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, bllokoi pasuritë e “Albarant Sh.p.k”, pasi kompania nuk kishte paguar detyrimet fiskale për shtatë vite.
Gonxhe i cilëson akuzat gënjeshtër dhe e sfidon Balliun t’i çojë “provat” në Prokurori.
Ai sqaron publikun se shkresa, të cilës i referohen flet për lirim të titujve të pronësisë, por në asnjë rresht të saj nuk flitet për nivelin e detyrimit tatimor.
Sipas mediave Raporti i Tatimeve vërtetonte se kompania në pronësi të Blendi Gonxhes, me administratore bashkëshorten e tij, Elda Gonxhja, nuk kishte paguar 1.2 milionë euro detyrime tatimore për vitet 2015-2021.



