Socialistët duhet të presin shtatorin për të mësuar nëse do të jenë pjesë e ekipit “Rama 4”, pasi kryeministri ende nuk e ka thirrur zyrtarisht Asamblenë e PS.
Sipas traditës aty Rama ka zbuluar emrat e ministrave të rinj, por deri më tani nuk kemi një datë, edhe pse që prej ditës së djeshme kur është rikthyer në punë pas pushimeve të verës, shefi i qeverisë ka pritur e ka përcjellë në zyrë vartësit e tij.
Aty janë paraqitur ditën e djeshme numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi. Ndërkohë ditën e sotme, Rama ka pritur në zyrë thuajse të gjithë ministrat e tij, prej orëve të para të mëngjesit.
Redaksia mëson se në mesditë në zyrën e Ramës ka hyrë edhe ish-Presidenti i Kosovës, biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është duke ndërtuar aeroportin e Vlorës. Zërat në korridoret e kryeministrisë flasin për një ofertë Pacollit në kabinetin e ri, sipas modelit të Besa Shahinit, Gent Cakaj dhe Vlora Hysenit.



