nga Kastriot Dervishi
Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, në orën 16.30 të dielën e datës 7.8.1949 në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë.
Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.
Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafoi drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:
-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)
-84 të kategorisë së dytë (për dënime me heqje lirie)
-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).
Shehu kërkoi edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandoi që Gjykata e Lartë Ushtarake të vinte në Rrëshen më 12 gusht.
Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë. Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Të 26 të pandehurit u arrestuan më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë nga nënkolonel Bilibil Klosi, kapiten I Sotir Spiro, kapiten II Nonda Papuli, duke pasur pranë ndihmësprokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi u zhvillua i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuan (me përjashtim të njërit) “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. Me vendimin nr.98, datë 16.8.1949, 14 veta u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më i riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Praktika u mbyll shpejt dhe më 17 gusht vendimi u ekzekutua.