Në Kumanovën e Trimave, Mickoski bën “trimin” ndaj shqiptarëve, por historia e ka mësuar ndryshe!

spot_img
Advertisements

nga Ermal Peçi

Kumanova është qyteti ku shqiptarët nuk kanë heshtur kurrë. Qyteti i rezistencës, i bashkëjetesës dhe i trimërisë së vërtetë, jo asaj që fryhet nga tymrat e nacionalizmit folklorik. Pikërisht në këtë qytet, në një ndeshje basketbolli të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, shpërtheu një urrejtje e ulët, primitive, që erdhi nga tribuna – por që mbështetjen e saj të vërtetë e kishte në heshtjen e elitës politike maqedonase që ishte ulur në lozhën VIP.

“Vdekje shqiptarëve!” nuk është thjesht një britmë në një moment tensioni sportiv. Është një refren i vjetër i nacionalizmit maqedonas, që rikthehet sa herë që shteti dështon të japë rezultat – në ekonomi, në politikë, në sport. Sa herë që kriza identiteti e prek shumicën sllave, përdoret një taktikë e njohur: krijo një armik të brendshëm. Dhe në Maqedoninë e Veriut, ky “armik” janë shqiptarët.

Por kjo taktikë ka dështuar historikisht. E provuan në vitet ’90, kur ndërtuan shtetin mbi ekskluzivitetin etnik, por pa shqiptarët nuk ecën dot përpara. E provuan në vitin 2001, me plumba dhe tanke, por shqiptarët u ulën në tryezë dhe sollën Marrëveshjen e Ohrit, një akt themelor për këtë shtet. E provuan me përjashtime nga gjuha, simbolet, institucionet, por sërish pa shqiptarët, ky shtet ngelet në vendnumëro. Dhe po e provojnë sërish sot, me britma që synojnë të frikësojnë dhe të poshtërojnë një komunitet që është shtyllë e këtij vendi.

Ajo që ndodhi në Kumanovë është shumë më tepër sesa një incident. Është një test për demokracinë. Dhe në këtë test, elita maqedonase dështoi. Kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski ishin aty. I dëgjuan thirrjet raciste. Por nuk u shqetësuan. Nuk reaguan, sepse në heshtjen e tyre fshihet një kalkulim i rrezikshëm politik: nacionalizmi sjell vota. Edhe në kurriz të bashkëjetesës, edhe në kurriz të shqiptarëve.

Por ndoshta edhe më tronditëse është heshtja e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, veçanërisht e atyre të platformës VLEN që janë bërë SVLEN. Ata që me zell u ngjitën në pushtet për të garantuar “barazi dhe dinjitet” për shqiptarët, sot nuk kanë guximin të thonë as edhe një fjali të qartë përballë një ofendimi kolektiv. Pse heshtin? Nga frika se mos i mërzitin partnerët maqedonas në pushtet? Apo sepse po shijojnë privilegjet që u dhanë duke heshtur përballë padrejtësisë?

Fatmirësisht, jo të gjithë heshtën.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, reagoi menjëherë. Denoncoi pa kompromis thirrjet raciste, kërkoi distancim nga elita politike maqedonase dhe kërkoi dënim për organizatorët e kësaj atmosfere të rrezikshme. Taravari nuk foli si politikan oportunist, por si qytetar që ndjen përgjegjësi. Si lider që e di se dinjiteti nuk është çmim për pazare.

Po ashtu, Blerant Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës, dha një qëndrim të qartë: ky nuk është thjesht një problem sportiv, por një plagë morale që nuk shërohet me heshtje, por me qëndrim.

Kjo është sfida më e madhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sot: jo urrejtja që vjen nga jashtë, por heshtja që vjen nga brenda. Sepse kur përfaqësuesit tanë heshtin, ata nuk janë më zë i komunitetit, janë dekor i një pushteti që nuk na pranon dot si të barabartë.

Historikisht, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë fituar asgjë me nënshtrim. E kanë fituar me qëndresë, me dinjitet dhe me kurajo për të folur kur të tjerët kanë zgjedhur të heshtin. Dhe këtë rrugë nuk duhet ta harrojmë sot. Urrejtja nuk ndalet me heshtje , ajo ndalet me përballje, dhe demokracia nuk ndërtohet me frikë, ndërtohet me zë.

Kumanova e Trimave është ende gjallë. Dhe përballë “trimërive” të rreme të politikanëve që e përdorin nacionalizmin për të fshehur dështimet, shqiptarët kanë vetëm një përgjigje: Ne nuk ikim. Ne nuk heshtim. Ne jemi këtu, me dinjitet, si qytetarë të barabartë dhe të vendosur për të mos lejuar që e shkuara të rikthehet si e ardhme.

Latest articles

Related articles