‘Barbarët’ janë sërish tek porta | ANALIZA Pse Trump nxjerr nëndetëset bërthamore

spot_img
Advertisements

Në vitin 410 pas Krishtit, Roma, qyteti që kishte simbolizuar për shekuj me radhë përjetësinë e qytetërimit perëndimor, u pushtua nga ‘barbarët’.

Ngjarja nuk përfaqësonte vetëm një akt dhune fizike shkatërrimin e portave, përdhosjen e tempujve apo rrëzimin e statujave, por shënjoi mbi të gjitha një kolaps simbolik, shembjen e iluzionit se rendi është i përjetshëm, se ligji garanton vetveten, dhe se qytetërimi është më i fortë se uria, dhuna dhe dëshpërimi.

Sot, historia, në mënyrën e saj ciklike, duket se po ofron një paralelizëm të frikshëm. “Barbarët” modernë që udhëhiqen nga Kina dhe Rusia, bartësit e një rendi alternativ, ndodhen sërish tek porta.

Objektivi i tyre nuk është vetëm të sfidojnë Perëndimin ushtarakisht apo ekonomikisht, por të vënë në pikëpyetje vetë arkitekturën ideologjike të rendit liberal ndërkombëtar, i cili ka garantuar hegjemoninë e Perëndimit që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Për ironi i vetmi që ka lexuar më saktë këtë realitet të ri është Donald Trump, njeriu më i sulmuar dhe figura më e polemizuar në historinë e Perëndimit . Ai ka kuptuar se jemi në një epokë përplasjeje paradigmatike, jo thjesht divergjencash teknike.

Trump refuzon gjuhën diplomatike të disiplinës institucionale dhe shfaqet si mbrojtësi i fundit i një civilizimi që po rrezikon të shndërrohet në kujtim muzeal.

Në analizë të fundit, qëndrimi i tij është një formë e papërpunuar e një thirrjeje për rigjallërimin e instinktit mbrojtës të qytetërimit perëndimor, një apel për të rikthyer rendin moral, për të rishkruar kontratën shoqërore dhe për të rimenduar instrumentet e sovranitetit.

Trump nuk është as Ciceroni, as Marcus Aurelius. Por ai është ndoshta i vetmi që ka nuhatur se nuk jemi në një epokë menaxhimi, por në një kohë përballjesh.

Ai nuk i beson më mantrave të korrektësisë politike, nuk ngushëllohet me kumbimin e fjalëve boshe . Ai e kupton që në këtë betejë për mbijetesë të qytetërimit perëndimor, asgjë nuk është më e rrezikshme se vetëkënaqësia, ndaj ka nxjerrë dhe nëndetëset bërthamore.

Nëse historia na mëson diçka, është kjo, qytetërimet nuk bien sepse janë të dobëta, por sepse nuk e kuptojnë më përse ekzistojnë. Roma u shemb sepse humbi besimin në vetvete. Perëndimi i sotëm rrezikon të ndjekë të njëjtën rrugë, jo sepse Kina apo Rusia janë të pathyeshme, por sepse Perëndimi po e bind veten se e ardhmja mund të ndërtohet me receta të së shkuarës.

Barbarët janë sërish te porta. Por ndryshe nga viti 410, këtë herë porta nuk po thyhet nga jashtë, por po hapet nga brenda dhe nëse Perëndimi nuk arrin të rifitojë vetëbesimin dhe të kuptojë se qytetërimi nuk është një dhuratë e përhershme, por një përpjekje e vazhdueshme për të mbrojtur atë që është e brishtë, sublime dhe e rrezikuar, ai rrezikon të pësojë të njëjtin fat ndërkaq njerëzimi të njëjtën tragjedi.

Latest articles

Related articles