Pezullohet nga detyra Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit të Vlorës, aktualisht oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit në qytetin bregdetar ku dhunoi nje kamarier pas nje debati per nje shishe uje teper. Policia thote se Isufi ndodhet i shtruar ne spital, por rrethanat nuk dihen.
“Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës; kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar Ardian Isufi, jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit Leart Bimo, 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin 18 vjeçar. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M. Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë” njofton policia.