nga Igli Çelmeta
Agim Troci, heroi i Policisë së Shtetit që sakrifikoi veten për të shpëtuar jetën e banorëve në Senicë. U fut mes zjarrit për të shpëtuar fëmijën 10-vjeçar.
Në një ditë të mbushur me panik dhe tmerr nga flakët e zjarrit që përpinë banesat në fshatin Senicë, një akt trimërie dhe sakrifice e lartë u shënua nga forcat e Policisë së Shtetit. Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, Agim Troci, nuk mendoi as për një çast për veten, por vrapoi drejt rrezikut për të shpëtuar të tjerët. Me trupin e tij të mbuluar nga djegiet dhe i asfiksuar nga tymi, ai u bë shembulli më i madh i guximit dhe i përkushtimit ndaj jetës së qytetarëve.
Situata në Senicë ishte jashtëzakonisht dramatike. Flakët përhapeshin me shpejtësi, ndërsa shumë të moshuar, të dëshpëruar dhe të tmerruar nga humbja e banesave të tyre, refuzonin të dilnin jashtë. Policia iu lutej me ngulm që të largoheshin, por disa prej tyre, të pushtuar nga dhimbja e madhe, thoshin se më mirë të digjeshin brenda sesa të shikonin gjithçka të shkatërrohej. Pikërisht në ato momente, Agim Troci dhe oficeri Edison Lamaj treguan trimërinë e tyre të jashtëzakonshme, duke u futur mes flakëve dhe tymit për t’i nxjerrë me forcë dhe për t’u shpëtuar jetën atyre që nuk pranonin të largoheshin. Shefi i Komisariatit të Delvinës Agim Troci rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar një fëmijë 10-vjeçar nga një banesë që kishte marrë flakë. E arriti qëllimi për të shpëruar fëmijën dhe vetë u dogj nga zjarri, por i lumtur që shpëtoi një fëmijë.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, Agim Troci u transportua me helikopter drejt QSUT në Tiranë, me dëmtime serioze në bark, krahë dhe këmbë. Por pavarësisht dhimbjes dhe rrezikut, sakrifica e tij shpëtoi jetë dhe solli shpresë aty ku frika kishte pushtuar gjithçka.
E gjithë policia e qarkut Vlorë, me në krye drejtorin Elidon Çela dhe forcat e Komisariatit të Sarandës, qëndruan gjithë ditën në terren, duke ndihmuar banorët të largoheshin nga banesat në sekondat vendimtare. Ata nuk ishin thjesht oficerë policie sot, ata ishin mburoja e gjallë e qytetarëve, duke treguar se misioni i tyre është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.
Edhe kur kam kritikuar Policinë e Shtetit, e kam bërë gjithmonë me qëllimin e mirë që kjo forcë të përmirësohet dhe të bëhet çdo ditë më e fortë e më e drejtë. Por sot, në këtë akt heroik, unë me gjithë zemër i heq kapelën këtyre burrave të guximshëm të Policisë, sepse ata treguan fytyrën më fisnike dhe më humane të uniformës që mbajnë.
Ky akt heroik nuk duhet harruar, është dëshmia më e madhe se Policia e Shtetit është në shërbim të jetës, me sakrificë, përkushtim dhe zemër të madhe. Dhe për këtë, Agim Troci, Edison Lamaj dhe gjithë oficerët e përfshirë meritojnë jo vetëm mirënjohje, por edhe respektin e çdo qytetari.
.