nga Zef Preçi
Nuk ka shembull më të madh par excellence se si shteti godet më të dobëtin, më të pambrojturin, në favor të lobistit, oligarkut apo segmenteve të krimit të organizuar. Duhet të jesh tepër jashtë realitetit që të mos kuptosh se para se fermeri të lëshojë faturën për mallin që nxjerr në treg, duhet:
Rregjistrimi kombëtar i fermave (një njerëz + bagëti + tokë) për t’i hapur rrugën projekteve shtetërore (jo si në rastin korruptiv të fondeve të IPARD që i vodhën zyrtarët e qeverisë), mundësive të kredimit nga bankat tregtare dhe investimeve private në mënyrë të ligjshme. Përleshjet e turpshme të qeverisë me fshatarët e Thethit nuk do të ndodhnin nëse qeveria do të përmbushte detyrat e saj kushtetuese.
Politika mbështetëse shtetërore financiare dhe me ekspertizën e duhur që mundësojnë konsolidimin e tokës (kapërcimin e fragmentimit) dhe ekonominë e shkallës (rritjen e numrit të krerëve).
Politika që mundësojnë mekanizimin, specializimin, edukimin e fermerëve, sidomos të rinisë.
Politika shtetërore që rivendosin lidhjet ekonomike midis prodhimit, përpunimit dhe tregut, duke mundësuar qendrat e grumbullimit të prodhimit, rritjen e shkallës së përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me qendrat e grumbullimit, fuqizimin e kontrollit të cilësisë dhe standardeve për të mbrojtur konsumatorin dhe garantimin e hedhjes së produkteve të sigurta në tregun me pakicë.
Forcim i kontrollit të cilësisë dhe çmimeve të produkteve alternative të importit, kontroll i rreptë për çmontimin e monopoleve dhe oligopoleve pas të cilave qëndrojnë lobistë, oligarkë, përfaqësues të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe politikanë të rëndësishëm në pushtet dhe në opozitë të interesuar për të ruajtur status quo-në dhe për të mbështetur këtë lëvizje të orientuar nga z. Rama dhe establishmenti i tij.
Heqja dorë përfundimisht nga idetë halucinante të përdorimit të parave kriminale si burim zhvillimi të vendit (lexo: pushtimit të gjithçkaje publike), nga zonat gjoja prioritare të zhvillimit të turizmit, nga strategjitë grabitqare, nga Paketa e Maleve dhe çdo “paketë” tjetër që bazohet në interesa jopublike, vendase apo të huaja qofshin ato.
Politika shtetërore e cila i mungon thelbi: interesi thellësisht publik, i mungon transparenca dhe ndërmerret me nxitim, pa balancuar interesat e palëve, është e dyshimtë si politikë anti-popullore dhe duhet kundërshtuar fuqimisht