Gazetari Lavdrim Lita komentoi në Euronews Albania procesin e rinumërimit të votave dhe dyshimet për ndërhyrje në zgjedhje, duke theksuar se hetimet e deritanishme nga SPAK dhe BKH nuk kanë prodhuar efekte penale dhe se manipulimi i votës mbetet një problem.
- Advertisement –
“Nuk është e lehtë të bindësh 20 mijë shqiptarë për votë, diçka ka ndodhur dhe është shumë e vështirë të hetohet. Kishim besim tek SPAK, nuk pash ndonjë veprimtari aktive të SPAK dhe BKH për të hetuar kandidatët. Ata u morën në përgjithësi me disa indicie që kishin ata vetë por nuk kanë prodhuar ndonjë efekt penal.
SPAK nuk mund ta bëjë këtë vend me demokraci. Partitë politike kanë vullnet për ta tjetërsuar votën e qytetarëve, çdo parti, nuk kanë skrupuj”, tha gazetari.
Lita gjithashtu komentoi fenomenin e shitblerjes së votave, duke theksuar se votat janë shitur nga një kontigjent i madh qytetarësh.
“Sa i përket hetimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe shitblerjes së votave, saktësisht votat nuk janë blerë, janë shitur. Kemi një kontigjent shumë të madh qytetarësh që shiten, siç shiten deputetët, politikanët. Nga ana tjetër janë edhe ata që blejnë.
Këtë e konstatojmë në çdo qark që ka shitblerje masive të votës. SPAK ka bërë një farë pune ku ka kryer veprime duke bastisur zyra, shtëpi, kanë gjetur lista zgjedhësish, por volumi që është ushtruar për të tjetërsuar votën nëpër qarqe, ka qenë shumë i madh.
Duhet implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR që partitë politike bëjnë sikur nuk i dinë”, shtoi gazetari Lita