nga Prof. Hasan Bello
Një nga shkrimtarët dhe intelektualët e Perandorisë Osmane të shek.XIX ishte Namik Kemal, i cili përveç origjinës së tij shqiptare njihej gjithashtu si kritik i situatës politike, që kishte përfshirë perandorinë. Një ditë tregohet se dy tre miq i kthehen me shpoti, duke i vënë në dukje se kishte kohë që thonte se shteti po prishej e megjithatë ai vijonte të mbetej në këmbë. Namik beu iu përgjigj se perandoria nuk ishte filan fisteku, që të sëmurej në drekë, të vdiste në mbrëmje dhe të varrosej të nesërmen. Për një shtet qindravjeçar agonia do të zgjaste pesëdhjetëvite. Namik Kemal-i vdiq në vitin 1888, ndërsa shteti osman zyrtarisht në 1923. Prandaj mos u çudisni kur e krahasoj shtetin shqiptar me një skemë piramidale.
Tani le të vijmë te tre arsyet:
1-Korrupsioni
Elitat politike e kanë kthyer korrupsionin në kulturë kombëtare. Ai është kapilar dhe shtrihet nga qendra drejt periferisë. Kryesisht nuk vjedh vetëm ai që nuk ka mundësi ose, që nuk di të vjedhë. Për këtë arsye, shqiptarët ndahen në dy pjesë: një pjesë që vjedh dhe një pjesë që vidhet. Kjo e fundit përbën shumicën dhe konsiderohet e paaftë, defiçente. Korrupsioni shkakton një reaksion zinxhir problemesh ku më kryesori është
2-Braktisja e vendit për një jetë më të mirë
Largimi i qindra mijërave shqiptarëve nuk është rastësi dhe trend për shkak të reklamave që jepte dikur “Italia uno”. Por pasojë e keq qeverisjes, politikave të diskriminimit social, ekonomik dhe politik të partive, të cilat e mbajnë vendin në konflikt permanent. Shqipëria nuk është vend i shanseve të barabarta. Por i lekut dhe i mikut. Ajo që të bën përshtypje është indiferenca e pedagogëve, intelektualëve dhe artistëve (aq sa mund të konsiderohen të tillë) ndaj zbrasjes së vendit nga dita në ditë.
3-Bujqësia, ushqimi dhe siguria ushqimore
Shqipëria ka eksperimentuar të gjitha rrugët për tu kthyer në një vend industrial me mbështetjen e fuqive më të mëdha të kohës-Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Ka dështuar. E vetmja alternativë është bujqësia, blegtoria dhe vitet e fundit turizmi.
Politika është treguar kriminale me perspektivën ekonomike të shtetit shqiptar dhe sigurinë e tij ushqimore. Kur të zhduken 9000 lopë dhe dhjetëra mijëra dele për një vit, i bie që mos të kemi më qumësht, i cili bashkë më mishin përbën mbi 50% të produkteve ushqimore. Kjo reflektohet në çmimet e larta të çdo ushqimi, frutave, zarzavateve etj. Në fund të qershorit psh një kg karrota është mbi 1.5 euro dhe çdo gjë mbi mesataren e çmimeve në shtetet fqinjë anëtare të BE.
Për çfarë turizmi bëhet fjalë kur ti nuk mbulon dot nevojat e brendshme?