Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, ka folur hapur për presionet që ka pasur brenda PD-së. Sula deklaroi se është përballur me qasje intimidimi dhe tentativa për t’i “prerë kokën” në kulmin e karrierës së tij politike.
“Ndaj meje ka pasur sjellje apo qasje, apo intimidim, ose mënyra për të më frenuar, por unë kam përdorur një shprehje me njerëzit lart në PD: Unë jam person që edhe në jetën e përditshme nuk i shkel vijat e kuqe. Çfarë kam parë, çfarë kam dëgjuar dhe çfarë kam folur brenda ambienteve të PD-së dhe me individë të lartë të PD-së, nuk jam nga ata që e nxjerr në pazar gjënë”, tha Sula për “A2 CNN”.
Deputeti demokrat theksoi se nuk do të qëndrojë i heshtur kur bëhet fjalë për të vërtetën dhe për të pastruar plagët brenda partisë.
“Por nga pikëpamja politike do t’iu qis ujët e zi për respekt të demokratëve, në respekt të integritetit tim dhe të familjes sime, të cilët ju që jeni lart në PD deshët të shkatërronit karrierën time politike dhe që e arritët duke më prerë kokën në kulmin tim të karrierës”, deklaroi ai.
Sula shtoi se nuk e bën këtë për hakmarrje, por për të ndihmuar në shërimin e plagëve që po e mbysin Partinë Demokratike.
“Kjo nuk është çështje hakmarrjeje absolutisht, por sa të kem frymë unë do të luftoj që të shëroj ato plagë”, tha Sula.
Deputeti u shpreh se nuk ka frikë të përballet me të vërtetën: “I kam thënë se nuk kam frikë, jo se jam me muskuj, por kam trimërinë e së vërtetës”