“Vetëm Kosova e ka në terezi!” – ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Sebastian Zonja

Goditja e programit bërthamor iranian nga ana e amerikanëve vendosi për dy dekadat në vijim një vijë të kuqe për rajonin e Lindjes së Mesme. Aleatit të tyre Izraelit dhe vendeve të tjera rrotull, aleate të SHBA-së, Shtëpia e Bardhë i tha se ne jemi këtu për t’ju mbrojtur. Pritet të shohim se si do të ndërtohen bisedimet për paqe, ndërsa SHBA-të do duhet të japin garanci ndaj arabëve se Izraeli nuk do të sulmojë ndonjë prej vendeve të tjera në rast se nuk përmbushin orekset e tij.
Cënimi i sovranitetit me goditjen e Iranit ra si kambanë alarmi për gjithë aleatët amerikanë rrotull, duke i thënë me rezoluta të përbashkëta se kjo që po ndodh është e papranueshme. Ndaj lexuam deklarata të forta që kishin në thelb mbrojtjen e këtij parimi të së drejtës ndërkombëtare. Ndërsa pranvera arabe mori fund dhe ndryshimet e regjimeve nuk janë më në fokus, vendet arabe tani kërkojnë siguri të tjera nga amerikanët. Duke qenë se kinezët janë te dera me valixhe me para dhe bomba bërthamore, Uashingtoni po matet mirë se çfarë do u jap në këmbim e çfarë do u marrë.

Në terren, operacionaliteti i forcave ushtarake izraelite është mahnitës, pasi lufton në disa fronte njëkohësisht, duke kryer edhe një gjenocid faqe gjithë botës. Por, ndërsa kjo është levë e rëndësishme për të qenë aktor rajonal, kthehet gjithashtu në frikë tek të tjerët që nuk përmbushin kriteret e sigurisë që përcaktohen nga Tel Avivi. Me gjasë, Akordet Abrahamike të presidencës së parë Tramp mund të rinegociohen, teksa frika tek dy aleatët e tjerë – Arabia Saudite dhe Turqia – është shtuar. Teatri i forcave në Lindjen e Mesme është interesant dhe duke qenë nga rajonet më të rëndësishme energjetike në botë, gjasat janë se duhet një analizë shumëpërmasore për ta parë situatën se si mund të zhvillohet. Kulturat e ndryshme, armiqësitë, nacionalizmat respektivë dhe aleancat fluide me Jugun Global që drejtohet nga Kina dhe Rusia mund të sjellin përplasje të reja, me intensitet më të lartë.

Evropa

Ndërkohë, ishte Rusia që e çeli këtë epokë të re destabilieti. Ajo ndezi fitilin për të shkuar drejt një rendi të ri botëror, për të cilin ka shumë spekulime se si do të duket. Ajo që kuptojmë nga dy presidencat e fundit amerikane është se ajo Baiden ishte e ngërthyer në idenë e SHBA-së si garant paqeje dhe demokracie në botë, ndërsa kjo Tramp ka në thelb atë që ai ka parashtruar shpeshherë – se SHBA-të janë fuqia më e madhe në botë, por ka të tjera që kanë lindur dhe po zhvillohen.

Kazusi ukrainas

Pushtimi i Ukrainës çeli një kapitull të ri, sepse u pushtua me dhunë një vend sovran nga një Fuqi e Madhe. Pak vite më parë, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me armë bërthamore Ukrainën dhe evropianët dhe Kievi u gjendën cullak përballë këtij kërcënimi. Uashingtoni s’kishte ndërmend të futej në një luftë bërthamore me Moskën për Ukrainën apo Gjermaninë. Për më tepër, kur u hapën kanalet e komunikimit, u ul vetë, kokë më kokë, me Rusinë, pa praninë e evropianëve. Njëra pas tjetrës, kambanat e alarmit po binin në Evropë.
Së fundmi, në mars, kaloi pa shumë vëmendje kërkesa e Polonisë për të marrë armatim bërthamor, ose në kuadër të NATO-s, ose t’i zhillojë vetë.

Pse i kërkon Polonia armët çudibërëse?

Ndërsa po ndërton ushtrinë më të madhe të mundshme, me rreth 500 mijë njerëz nën armë, ka kuptuar se Uashingtoni nuk hyn në luftë me Rusinë për Varshavën, porse edhe Evropa nuk ka një komandë të unifikuar që të vendosë vija të kuqe ndaj Rusisë.
Dolëm sërish te vijat e kuqe
Nëse SHBA-të vendosën një vijë të kuqe për dy dekadat në vijim në Lindjen e Mesme, një e tillë nuk është vendosur ende në Evropë. Do të shohim bisedime të drejtëpërdrejta mes Moskës dhe Berlinit dhe Parisit për të qepur një arkitekturë të re sigurie në kontinent. Amerikanët, me sa po duket, i kanë ndarë punët e tyre me Moskën dhe duan të fokusohen në prioritete të tjera. Evropa se ka bërë ende.

Situatë amullie

Në situata të këtilla amullie, kur s’e merr vesh i pari të dytin, grabitqarët mundohen të gallbërojnë ç’të munden. Në rajonin tonë kemi problemin e sigurisë me Serbinë e cila ka ambicie territoriale ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Deri ditën që do sigurohet një pakt i ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë, situata në Ballkan do jetë ngacmuese dhe sfiduese. Berlini dhe Parisi duhet që njëkohësisht të mbyllin bahçen e tyre në këtë pjesë të Evropës që të mos hyjë njeri dhe të trazojë, e në të njëjtën kohë duhet të merren me Rusinë, SHBA-në dhe Kinën. Vërejmë diplomaci aktive nga ana e Brukselit me aktorët e rëndësishëm botërorë, ndërkohë që amerikanët përherë e më shumë po e përçmojnë aleatin e tyre, duke lexuar edhe deklaratën e fundit për biedimet mes evropianëve dhe iranianëve në Gjenevë.

Fatkeqësisht, ndërsa gjithë kjo situatë e ndërlikuar dhe e rrezikshme shpërfaqet përpara nesh, Kosova ka zgjedhur të mos krijojë qeverinë dhe Tirana të shkojë drejt rrugës së një autokracie të qëndrueshme.

Latest articles

Related articles