Policia e Elbasanit ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorit datë 13.06.2025, për ndalimin e shtetasit Astrit Sinanaj, 49 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Kujtojmë se më 24 prill të vitit 2023 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që shpalli fajtor dhe dënoi me burg dy të pandehurit, që tentuan të vrisnin 6 vite më parë biznesmenin Fuad Verzivollin, duke i vendosur tritol në makinë.
U la në fuqi vendimi me burg për Astrit Sinanaj, i akuzuar për disa vepra penale dhe Thanas Thoma, i akuzuar për moskallëzim të krimit.
Në datën 6 maj të vitit 2017, Astrit Sinanaj i vendosi 1 kg tritol të llojit C4, poshtë makinës së biznesmenit Fuad Verzivolli. Lënda plasëse u konstatua nga një person në zonë, i cili telefonoi kushëririn e tij që punonte në polici.
49-vjeçari ishte identifikuar nga këqyrja e 13 kamerave të sigurisë në qytetin e Elbasanit, mbasi një sasi prej 1022 gramë C4 u zbulua majin e 2017-ës në automjetin e Fuat Verzivollit. Ky i fundit, gjatë gjykimit tha se nuk kishte pasur asnjëherë përplasje me të dyshuarin, por se ishte përdorur si karrem gjatë përplasjes së bandave në Elbasan.