nga Veronika Duci, Psikologe
Rastet e fundit të vetëvrasjeve në vendin tonë nuk janë vetëm tragjedi individuale – ato janë edhe një pasqyrë e një boshllëku të thellë institucional dhe shoqëror. Shqipëria ende nuk ka një linjë kombëtare për parandalimin e vetëvrasjes, funksionale 24 orë në ditë, e financuar nga shteti dhe me mbështetje profesionale të vazhdueshme.
Ndërkohë që shumë vende e konsiderojnë këtë një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit mendor, tek ne ende mungon një mekanizëm i tillë bazik, ku një person në krizë të dijë ku të telefonojë dhe të mos ndjehet vetëm. Kjo nevoje eshte edhe me e madhe per njerezit qe jetojne ne zona rurale ose ku nuk ka asnje sherbim te shendetit mendor.
Nevojitet urgjentisht një shërbim kombëtar për mbështetje emocionale, i aksesueshëm, falas dhe i besueshëm. Të mos flasim vetëm pas një tragjedie – të veprojmë qe ta parandalojme!