O Balo, të hëngërt Tënja — e ke të keqen brenda! Nga Gloria Mollaj

spot_img

Po pija kafe me time më dhe si gjithmonë kur piqemi, bëjmë një përzierje të bukur: pak punë, pak filozofi, shumë të qeshura. Në një moment më thotë:
“Kam frikë vetëm njeriun. Të ligun nuk e sjell bota — e kemi brenda. Nga fisi te zyra. Është me ne, rri në prehër, ha bukë me ne.” Dhe më citoi këtë shprehje që kam vënë në titull.

Dhe unë qesha. Por nuk ishte e qeshur e lehtë, ishte ajo qeshja që nënkupton: “Shkoi thellë.”
Dhe më vjen në mendje partia-shtet. Ajo që ka ngrënë gjithçka përveç vetes. Ajo që po përtypet tani. Sepse si Baloja, edhe ajo e ka armikun në bark, jo në horizont. Dhe është çështje kohe derisa Tënja ta përfundojë vaktin.

Avantazhi im? Jam e re. Do jem këtu për ta parë. Jo me dorën në zemër, por me kokoshka në dorë.

Dje Veliajt iu shtua një tjetër akuzë. Edhe unë nënqesha. Jo se më intereson partia. Jo se më gëzon halli i tjetrit. Por sepse kur arroganca bie nga karrigia, bie me zhurmë. Unë jam elektorati që s’pi ujë nga asnjë çezmë partie. S’kam frikë të kritikoj, se e kam në natyrë, jo për “detyrë”. E them atë që mendoj, jo atë që më leverdis.

Bashkë me akuzën, erdhi edhe spastrimi në Bashki. Komandantja Ristani, dërguar nga vetë Rama, hyri me fshesë. Nxori “besnikët” e Veliajt. Medet.
Pyeta dikë nga brenda: “Kë hoqën?”
M’u përgjigjën: “Na kanë hequr trurin.”
Dhe s’u mora më me emrat. Ç’më duhen emrat mua kur kam tablonë në dorë? Dhe ajo është më e qartë se ndonjëherë: ky sistem po e ha veten.

Sepse kur nuk ke më asgjë për të ngrënë, përtypesh vetë. Kur besnikëria ndërtohet mbi frikë dhe karrierë, të parët që sakrifikohen janë “besnikët”. E shohim përditë. E sa besnikë do ketë do thoni juve? Vetëm durim!

Do shikojmë gjyqe më patetike se të Kadri Azbiut! Çudira, agjitacion propagandë, vetëm se unë s’do shkruaj nga burgu i Spaçit për t’ua komentuar, do jem në burgun tim të zakonshëm social. E vetme fillikat, duke më veshur nofkat e zakonshme: “Snobe”, “Berishiste”, “Lekiste”, “Të rrojë partiçka”. E kështu me radhë… S’po qahem, po rrëfej se çdo ndodhë, si gjithnjë.

Prandaj mos e kërkoni fundin me trumbeta, as me grusht shteti. Do vijë i heshtur, si çdo shkatërrim që fillon nga brenda. Nuk ka nevojë për armik, kur armiku është vetë mënyra si mbijetove. Dhe kur besnikët kthehen në dëshmitarë, kur nënshtrimi zë vendin e meritës, atëherë sistemi ka harruar pse nisi dhe kujt i shërbente.

Ndaj mos prisni shpërthim. Ky sistem nuk do bjerë me revolucion, por me kalbje. Si fruti që ka nisur të qelbet nga brenda ndërsa gëzon ngjyrë në lëkurë. Si ndërtesa që nuk shembet nga tërmeti, por nga myku që s’e sheh dot me sy.

Mos e kërkoni fundin te opozita — ajo nuk ka gojë, veç gjuhë që lëpin ç’të mundet. Mos e kërkoni te populli — ai është lodhur duke u lodhur. Fundi është këtu, në çdo emër që hiqet si besnik e përfundon si kokë turku, në çdo servil që sot bërtet “udhëheqës” e nesër thërret “mëshiro”. Në çdo akuzë që nuk është drejtësi, por mesazh me pullë.

Unë s’kam për t’i qarë. Do i shoh. Se kjo është hakmarrja më e ftohtë që njeh kjo tokë: të jesh dëshmitar i një fundi që vjen pa lavdi, pa himn, pa shpëtimtar. Fundi që vjen nga krimbi. Nga Tënja. Nga vetja.

Dhe kur të bjerë i fundit prej tyre, jo nga shtylla e turpit por nga karrigia e zakonit, do jem aty duke thënë:

“E hëngri Baloja. E hëngri partia. Se të ligën nuk e kishte kundër — e kishte pjesë të tija.”

Latest articles

Related articles