“Rroftë Shqipëria e Lirë” – Revolta e Spaçit trondit regjimin enverist të Tiranës

spot_img

52 vite më parë, më 21 Maj 1973, në një nga burgjet më famëkeqe shqiptare, Spaç, nisi një nga revoltat e rralla nën atë sistem- të burgosurit, duke kundërshtuar rregullat dhe kushtet çnjerëzore, nxorën në pah gjithë revoltën ndaj atij sistemi çnjerëzor, dhe valëvitën flamurin e Skënderbeut, pa yll. Ky flamur në valëvitje, bashkë me thirrjet “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Rroftë Europa e Lirë”, “Ju jeni katila”- që zgjatën 3 ditë-, ishte një ngjarje që tregonte se rezistenca nuk kishte vdekur, se sistemi nuk e kishte mposhtur tërësisht shpirtin e Lirë.
Vlen të kujtojmë se në 45 vite diktaturë u ekzekutuan me dhe pa gjyq mbi 6 mijë burra dhe gra, djem dhe vajza. Po kështu, ka patur mbi 34 mijë të burgosur dhe dënuar për arsye politike, mbi 59 mijë të internuar në kampe përqendrimi, ku mbi 7 mijë prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak në këto kampe. Po kështu, prej dhunës në burgjet politike numërohen 984 të vdekur gjatë kohës së dënimit. Ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë u survejuan në përditshmërinë e tyre. Aq i fortë ishte ky survejim, sa mjafton të kujtojmë atë që deklaronte ish kreu i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani në librin e tij “Mëkatarët” se, në fund të vitit 1990, një një Tiranë me 300 mijë banorë, kishim 30 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish Sigurimit famëkeq.
Por çfarë ndodhi me ne që nuk e zbardhëm dot të shkuarën?
Në vitet e para pas Marsit 1992, entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa shumë nga shqiptarët që kishin vuajtur u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka që në 45 vite nuk e thonin dot me zë të lartë. Por, ky ndoshta ishte edhe gabimi që më pas nisi e u bë gati i pandreqshëm – sepse rënia nga pushteti e një elite emrash që kishin drejtuar nomeklaturën komuniste ishte veçse maja e ajsbergut për të keqen që kish ndodhur, ndërkohë shpirti ideologjik që kish mbajtur gjallë atë sistem ishte kudo.
Ironikisht, ish elitat e diktaturës vijuan të drejtonin jetën publike. Mjaft pret tyre ndërruan “lëkurë politike” por vijuan të dirigjonin rishikimin e së shkuarës dhe prognozën e së ardhmes. Kështu, akademikët e emëruar në kohën e diktaturës nga partia, arkitektët, shkrimtarët, regjizorët, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, të cilët në vend të dijeve kishin vetëm devotshmërinë dhe bindjen, vijuan të kishin sërish në dorë të leximin e së shkuarës, duke e bërë të pamundur dekomunistizimin.
Lënia në fuqi e një pjese të madhe të elitës së emëruar në diktaturë, e cila në vend të dijes kishte brumosjen me ideologji, si dhe sjelljen me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve publike, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme.
Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës?
Shkollat dhe institucionet e dijes mbetën peng i mentalitetit dhe histrorigrafisë së ideologjisë komuniste. Ndërkaq, ish të përndjekurit mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi – simboli i ligësisë së atij sistemi-, bashkë me Qafë Barin dhe vendinternimet e shumta mbetën shumë larg syve të qytetarëve dhe larg debateve për atë që kishin përfaqësuar nën diktaturë. Madje, nuk janë të paktë ish të përndjekurit që nuk arritën dot të ktheheshin në shtëpitë që kishin pasur, duke mbetur edhe sot e kësaj dite në vendinternimet e asaj kohe. Po kështu, ish pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat.
Ndërsa ironikisht, ish-sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin. Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuasje e gjithë shoqëria u vu nën presion të dyshimit, ku një numër i madh spiunësh e bashkëpunëtorësh u munduan të bëjnë pis këdo që dinte të vërtetat e tyre.
Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish pronarët kanë mbetur po ish pronarë, ish të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar. Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike, ku “beu” vazhdon të jetë “negativi”.
Ngaqë nuk mundëm të bënim atë që duhet, sidomos në rishkrimin e së shkuarës në tekstet shkollore, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok, se sa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish internimit. Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, Fatos Lubonjës, Visa Zhitit, Daut Gumenit, Lekë Tasit, Agim Mustës, Uran Butkës, apo dëshmi rrënqethëse të ish të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga ISKK, nuk janë ende në asnjë antologji shkollore.
Këto pasoja të mosleximit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës tonë morale si shoqëri. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.
Agim Baçi

Latest articles

Related articles