Senati italian konfirmoi dekretin e qeverisë së Giorgia Meloni për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të kampit të Gjadrit. Në votimin e zhvilluar mbrëmjen e së martës pati 90 vota pro, 56 kundër dhe një abstenim.
Dekreti në fjalë lejon përdorimin e qendrave të emigrantëve të hapura në Shqipëri për emigrantë që janë në pritje të riatdhesimit, të njohura ndryshe si CPR.
Në fillim Gjadri do të përdorej për emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, por pas refuzimit të gjykatave italiane qeveria Meloni u detyrua të ndryshojë objektin.
Në fillim u tha (sidomos nga Rama) se në vendin tonë do të vinin vetëm gra dhe persona të parrezikshëm, por tani aty po mbahen kriminelë të dënuar për vepra të rënda dhe që nuk kanë përfituar dot azilin.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë ndryshim të njëanshëm të marrëveshjes.
Vendimi i Melonit mori dritën e parë jeshile në Dhomën e Ulët më 15 maj. Nisma është kundërshtuar ashpër nga opozita dhe nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.