nga Ermal Peci
Azmer Duleviç është shoku im. E nis me këtë fjali jo për të ngjyrosur këtë shkrim me subjektivizëm, por për të ndarë qartë se, ndonëse na lidh një miqësi e hershme, ajo që më shtyn ta shkruaj këtë editorial nuk është ndjenja personale, por sjellja e tij publike është një sjellje që sot, më shumë se kurrë, i duhet politikës shqiptare.
Në zgjedhjet e fundit, Azmeri kandidoi në qarkun e Fierit nën siglën e “Shqipëria Bëhet”, një lëvizje e re politike që kërkon të thyejë shabllonet e vjetra dhe të sjellë një energji të re në jetën publike. Edhe pse nuk arriti të fitojë mandatin, rezultati i tij ishte mbresëlënës, veçanërisht për një kandidat që ishte realisht i vetëm përballë makinerive elektorale të PS dhe PD.
Por ajo që e bën Azmerin të veçantë nuk është vetëm fushata që bëri, por mënyra si reagoi pas rezultatit, nuk kërkoi të fajësojë askënd, nuk ngriti akuza për vjedhje votash, nuk bëri deklarata dramatike. Përkundrazi, ju drejtua qytetarëve menjëherë në rrjetin e tij social facebook e tha: “Do vij t’ju takoj, një nga një për të ju falenderuar për besimin që më dhatë” Dhe kështu do të bëjë, në çdo zonë të Qarkut Fierit, por edhe në diasporë duke u kthyer në një nga të paktët kandidatë që, pas zgjedhjeve, nuk zhduket, por u rikthehet aty ku e nisi, me njerëzit.
E kam thënë edhe më parë: kemi mendime të ndryshme politike dhe shpesh diskutojmë dhe nuk jemi dakord. Por kjo nuk e zbeh aspak respektin tim për një njeri që ka ndërtuar profilin e tij me punë, jo me demagogji. Azmeri vjen nga një familje e thjeshtë dhe është rritur me sakrifica. Është bërë i njohur në rrjetet sociale jo me batuta apo shfaqje boshe, por me video të qarta, ku si inxhinier elektrik shpjegon fenomene teknike në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për publikun. Dhe ky angazhim i tij nuk ka qenë vetëm në fjalë, çdo vit, jep 6 bursa për fëmijët në nevojë që të ndjekin një profesion, një akt që flet shumë për prioritetet dhe vizionin e tij.
Në një klimë politike ku shpesh protagonizmi zë vendin e shërbimit, Azmeri sjell një model tjetër, njeriun që nuk kërkon lavdi, por që do të jetë i dobishëm. Që nuk të flet nga lart, por të dëgjon si i barabartë. Dhe kjo është arsyeja pse ndjej detyrim moral të flas për të, jo si mik, por si qytetar që beson se ndryshimi vjen nga njerëzit që nuk lodhen së punuari, edhe kur nuk fitojnë.
Azmer Duleviç nuk fitoi një mandat, por fitoi diçka më të rëndësishme: respektin e njerëzve që sot e shohin si një përfaqësues real të një Shqipërie tjetër.