NGA NAMIR LAPARDHAJA
Në një realitet politik të polarizuar dhe shpeshherë të dominuar nga zhurma populiste dhe retorika boshe, Koalicioni Euroatlantik, nën drejtimin politik të Lulzim Bashës, paraqitet një alternativë racionale dhe e qëndrueshme.
Ky shkrim do të ndalet shkurtimisht në katër aspekte që tregojnë pse ky grupim meriton vëmendje dhe besim.
Së pari, Koalicioni Euroatlantik dhe drejtuesi i tij politik, Lulzim Basha, treguan maturi politike dhe profesionalizëm gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 Majit. Përballë një agresioni të koordinuar politik, mediatik dhe oligarkik, ky grupim arriti të krijojë një narrativë pozitive dhe të bëhet refreni i fushatës. Në vend që të përdorte gjuhën e urrejtjes apo premtimeve të parealizueshme, fushata e drejtuar nga Basha u karakterizua nga një diskurs qytetar, euroatlantik dhe i bazuar në vlera. Kjo e dallon thelbësisht nga forcat e tjera që shpeshherë mbështeten në tensione, ndasi, një gjuhë polarizuese apo premtime boshe, të paralizueshme dhe në tërësi në një shportë dëshirash elektorale.
Së dyti, një prej avantazheve më të mëdha të Koalicionit Euroatlantik, është përbërja cilësore e kandidatëve të tij. Në tërësinë e tyre, ata janë profesionistë të dalluar në fushat ku operojnë, përfaqësues të shtresës së mesme të shoqërisë, individë që nuk mbartin ‘brenga’ nga e kaluara, qofshin këto lidhje me regjimin komunist apo probleme me drejtësinë. Kjo i jep këtij grupimi një imazh të pastër dhe besueshmëri në sytë e qytetarëve që kërkojnë përfaqësim të ndershëm dhe të pakorruptuar. Në një kohë kur integriteti moral i përfaqësuesve publikë është një shqetësim madhor, ky është një kapital i çmuar për çdo forcë politike.
Së treti, Basha dhe Koalicioni Euroatlantik janë një garanci e eksperiencës si antidot ndaj populizmit banal. Në një rajon ku eksperimentet politike me figura të reja dhe premtime populiste kanë dështuar shpesh, përvoja e gjatë politike e Bashës dhe njerëve rreth tij janë një aset i rëndësishëm. Basha nuk është një politikan i rastësishëm apo i dalë nga rrethana të përkohshme; ai ka një histori të gjatë në drejtimin e institucioneve shtetërore dhe njeh mirë funksionimin e shtetit. Kjo e bën atë më të përgatitur për të mbajtur nën kontroll populizmin dhe për të garantuar një qeverisje të përgjegjshme. Populizmi ka treguar se nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme – përkundrazi, ai shpesh çon në zhgënjim. Koalicioni Euroatlantik synon t’i japë fund këtij cikli të dëmshëm.
Së katërti, Koalicioni Euroatlantik përfaqëson një mundësi reale për qytetarët shqiptarë që të mos ndihen të detyruar të zgjedhin mes të keqes më të vogël. Ai ofron një alternativë për të gjithë ata që janë të lodhur nga politika e vjetër, por që njëkohësisht nuk bien pre e populizmit të rrezikshëm. Mbështetja për SPAK dhe reformën në drejtësi është një tjetër pikë kyçe që e ndan këtë grupim politik nga të tjerët. Edhe pse është sulmuar dhe bojkotuar nga media të mëdha dhe një pjesë e sistemit politik të vjetër, ky grupim ka treguar se ka kapacitet të mbijetojë dhe të shndërrohet në një faktor qeverisës. Kjo është një provë që forca e ideve dhe përkushtimi ndaj interesit publik mund të mposhtin edhe aleancat më të errëta mes politikës, medias dhe krimit.
ADVERTISING
Në fund të kësaj analize do të thosha se Koalicioni Euroatlantik është më shumë sesa një ofertë elektorale – ai është një thirrje për përgjegjësi, për qeverisje të ndershme dhe për ndërtimin e një Shqipërie më të mirë. Në një kohë kur shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer dhe pa shpresë, ky grupim vjen si një dritë në fund të tunelit, duke ofruar jo vetëm fjalë, por edhe alternativa konkrete dhe njerëz të denjë për t’i zbatuar ato. Ai është një shans për të kthyer besimin në politikë dhe për të ndalur avancimin e populizmit që kërcënon themelet e demokracisë.