Fëmijët e lindur kur SB u zgjodh President sot janë prindër 33 vjeçarë, fëmijët e lindur kur ER u emërua ministër sot janë prindër 27 vjeçarë, fëmijët e lindur kur SB ia dorëzoi ER postin 8 vjeçar si kryeministër sot janë 12 vjeç, fëmijët e lindur kur Rama u votua për herë të fundit si kryetar i PS sot janë votues për herë të parë, fëmijët e lindur kur janë zgjedhur kryetarë shefat e sotëm të partive të tjera të vogla janë gjithashtu prindër. E nisën në kohën kur headline bënte Platini vs Maradona dhe Pele diku në mes. Një epokë distancë.
Jemi më 2025, bota ka ndryshuar kurse tek ne ata vijojnë t’i imponohen gjeneratës së tretë pas tyre se e shkuara është edhe e ardhmja e tyre. Një shoqëri që përsërit vetveten, riciklon vetveten, mban peng gjeneratat e reja dhe bashkë me to edhe energjitë pozitive për ndryshim/progres nuk është shoqëri reformatore dhe nuk mund të mund prodhojë më shumë demokraci sesa modeli hibrid i tranzicionit. Modeli që ofron e vjetra është investim kundër kulturës demokratike. Ata janë të aftë të shkatërrojnë, jo të ndërtojnë. Shikoni retorikën, – vetëm etiketime, fyerje, kërcënime dhe bullizim. As ide, as projekt, as ndjesë, as reflektim, as qasje strategjike, as ekip, as reformim dhe as heqje dorë nga kulti i individit.
Cili fëmijë dhe i ri sot do të donte që prindërit e tij të dilnin live në TV në sheshe e rrugica të vendit duke sharë, fyer, etiketuar dhe bullizuar të tjerët vetëm e vetëm se ata kanë bindje politike të ndryshme? Cili fëmijë do ndjehej krenar për këtë? Asnjë. Por ama mbi 1.3 milionë votues e pranojnë këtë sjellje absurde tek liderit e tyre, e duartrokasin, e kanë model politik, e ushqejnë me like, pra janë të gatshëm të vendosin në krye të shtetit një model që nuk do ta pranonin në familjen e tyre.
Alternativat e reja janë ende të pamjaftueshme dhe luftojnë për mbijetesë, pra për mandate minimale parlamentare. Kanë disa ide, kanë energji, por po dështojnë në testin kryesor, të krijonin linja dialogu e pakti të maksimalizimit të votës në qarqe, duke shfaqur elementë kritikë imitues të politikës së vjetër.
Aktualisht qytetarët janë të dënuar të votojnë midis dy modeleve politike mendimi e veprimi, tiparet e të cilave politike që bota e qytetëruar i ka lënë pas me kohë. Shqipëria mbetet vendi i vetëm rajonal dhe më gjerë që nuk krijon dot aktorë të tretë politikë efektivë, nuk ndryshon elitat politike, nuk heq dorë nga kulti i individit dhe ku askush nuk pranon ndarje pushteti me të tjerë, secili kërkon gjithçka për vete dhe nën vete.
Zgjedhjet janë moment reagimi. Me votë. Duke mbështetur kandidatë moderatorë dhe të testuar për aftësinë e tyre pozitive profesionale/politike, duke zgjedhur të keqen më të vogël, duke nxitur ne votë prurje e reja/një shenjë ndryshimi ose edhe duke refuzuar në bllok sistemin oligarkik që vijon të mbaj peng vendin. Por në çdo rast, duke votuar, duke treguar se ekzistojmë, duke përdorur instrumentet e vetme në dispozicion, – fjalën dhe votën, dhe kështu minimalisht duke i dhënë një provë gjeneratës së ardhshme se nuk jemi të gjithë turmë dhe as peng i tezës “bashkëvuajtës edhe bashkëfajtorë”.
@followers