Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me banorë të zonës së Laprakës në Tiranë. Në fjalën e tij, ai solli shembullin e një qytetari socialist të zhgënjyer, të cilin e kishte takuar në Astir, i lodhur nga premtimet e pambajtura të qeverisë Rama. “Nuk e lë pa e hedhur votën,” i kishte thënë qytetari Bashës, duke shtuar se këtë herë do të mbështesë Koalicionin Euroatlantik dhe kandidatët e numrit 4, si shenjë besimi tek një ndryshim me zemër të pastër për Shqipërinë.
“Po nis me diçka që më tha një socialist. Një socialist në Astir me 10 bidon qumështi në trotuar, kishte gjithë ditën që rrinte aty për t’i shitur, vinte nga Peza. Dhe më tha, ‘kam votuar një herë, dy herë, tre herë Edi Ramën e partinë socialiste, me thënë i zhgënjyer, nuk fillon me tregu si ndihem. Më kanë lënë pa punë, më kanë lënë pa bukë, ndërkoh që atyre ju kalben milionat e vjedhura nëpër bodrume”. Dhe i thash, çfarë do bësh në këto zgjedhje. Tha, ‘nuk e lë pa e hedh votën, se po nuk votuam në këto zgjedhje, do të thotë t’ia zgjasim jetën të keqes. Por nuk votojë dot për ata që thonë jemi ndryshimi, e na propozojnë të luftojmë korrupsionin me Ilir Metën. Kështu që do të votoj për Koalicionin Euroatlantik, do votoj për numrin 4, sepse i njoh kandidatët tuaj, e njoh kandidatin tuaj në atë zonë dhe po ju them një gjë, megjithëse nuk kam arritur ta lexoj programin’. Dhe unë i thash programin e keni edhe në internet futu në celular voto4.al, ‘megjithëse tha nuk kam arritur ta lexoj programin, prap se prap duke njohur kandidatët që keni vënë, e di që këtë punë po e bëni me zemër të pastër dhe po e bëni për njerëzit, po e bëni për shqiptarët e bëni për Shqipërinë’” – tha Basha.