Sot isha në një vend emri i të cilit është lartësuar e personifikuar nga një bir që kishte emrin Gjergj dhe për mbiemër, emrin e këtij vendi, Fishtës…
U ktheva pas në kohë.
Isha 14 vjeç dhe sa kish dal baba nga burgu i Spaçit. Isha në klasë të 8-të.
Baba i tha disa vargje në një dyqan, dhe qëlloi aty një sekretar byroje, që i tha babës që je edhe ti si Gjergj Fishta.
Unë mendova që ma shau babën, jo veç nga mënyra si e tha ai, por edhe vet, nga shkolla kishim idenë që Fishta kish qënë tradhtar..
Baba i tha: Mos më lartëso kaq shumë bre burr, se nuk jam e as nuk mund të bahem aq i madh…
Në burg, baba kish taku njerëz të lexum, e kish mësu shumë të vërteta për shqiptarinë e shqiptarët.
Duke ec, filloi të më fliste për
Gjergj Fishtën si një nga figurat më të mëdha kombëtare shqiptare: poet, politikan, atdhetar, prift françeskan.
Mënyra si fliste, i përhumbur në vargjet që kishte mësuar në burg, bëri që nuk e ndjemë rrugën, ndërsa ktheheshim në shtëpi….
Me ndryshimin e sistemit, Fishta u konsideroua si “Homer i shqiptarëve”, autor i Lahutës së Malcís, kësaj vepre epike që përshkruan aq bukur luftën e popullit tonë për liri.
Ndërsa shoh këtë shtëpi ku është lindur, përkundur në djep dhe kaluar fëmijërinë Gjergj Fishta, ndjej krenarinë kombëtare dhe nevojën për të mbrojtur identitetin tonë dhe rrugën drejt Europës.
Për të kujtuar se nga kjo tokë dolën burrat e mëdhenj që sakrifikuan për Atdheun, dhe se sot është radha jonë të mos e lëmë Shqipërinë peng të padrejtësisë.
“Nga këto troje ku pata nderin të isha sot e të takoja njerëz të kësaj treve, ka lindur zëri i lirisë shqiptare!
Sot është radha jonë ta ngremë zërin dhe të mbrojmë amanetin e Fishtës: një Shqipëri të lirë, të ndershme, europiane!”

