Mirela Papuçiu
Deklarata si ajo “Kush voton për kundërshtarin, është autik politik” nuk janë thjesht një metaforë, siç u tha që me rastin etiketimit të burrave “çyrykë”. Ato janë sinjale për shoqërinë. Ato përcaktojnë kufijtë e asaj që lejohet të thuhet dhe të mendohet. Pra, nuk kemi thjesht një administratë që ndalohet të votojë ndryshe, por përcaktohet se çfarë quhet “normale”. Michel Foucault flet për “biopolitikën” ku shteti dhe institucionet kërkojnë të drejtojnë jetën e individit jo vetëm duke e survejuar, por duke u imponuar normat e tij mbi atë që quhet e pranueshme ose jo. Çdo gjë që largohet nga ky i normalitet bëhet e dyshimtë, e sëmurë, e paaftë për të qenë pjesë e shoqërisë. Pra, për KM qytetarë janë vetëm besnikët e përbetuar.
Nëse shoqëria hesht, kufijtë ngushtohen më shumë. Heshtja jonë bëhet miratim i përçmimit.
Për këtë arsye, reagimi nuk duhet të jetë vetëm emocional, por edhe politik, qytetar dhe etik. Jo për të fyer, por për të mbrojtur hapësirën publike që na përket të gjithëve – të majtë, të djathtë, kritikë, skeptikë, të paangazhuar e me radhë.
Sepse në momentin që lejojmë që qytetari të quhet “autik” për bindjet e tij, kemi pranuar që demokracia të funksionojë si klub, jo si kontratë kolektive. Dhe aty, nuk jemi më qytetarë. Jemi veç figurantë.
Por, më se pari, përqasja e kundërshtarëve me autikët, është një lëndim i madh për këta të fundit që nuk e meritojnë këtë akt “turpërimi publik”. Se thirrja e tyre në kauzë i pranëvë me ” renegatët”, ” margjinalët”, “të përjashtuarit”, që janë ata që nuk e votojnë pushtetin. Të përdorësh termin “autik” në mënyrë fyese nuk është thjesht mungesë etike, është injorancë e paster. Autizmi është spekter neurologjik, jo sharje. Një lider që nuk e kupton këtë, jo vetëm që përçmon të tjerët, por na shpërfaq paaftësinë për ndjeshmëri njerëzore si dhe vetpërmbajtje.
Në një shoqëri që përpiqet të bëhet më përfshirëse, ku fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre kërkojnë mbështetje, një fjalë e tillë nga maja e pushtetit është një goditje direkte ndaj dinjitetit të gjithsecilit prej nesh.
Fjalët e KM janë mesazh institucional. Pra, me përçmimin e shprehur ai bën një akt politik, atë të vënies së thundrës shtypëse në grykën e qytetarit.