Të rinjtë si pasqyrë e Ramës& Berishës dhe jo si pasqyrë e shoqërisë!

spot_img

nga Ermal Peci

Në një vend normal, të rinjtë janë zëri i ndryshimit. Në Shqipëri, të rinjtë në politikë janë… një version më i ri i mediokritetit të vjetër. Me buzëqeshje të stampuara dhe fjalime të shkruara me modelin “Si të lavdërosh shefin në tre minuta”, brezi i ri politik duket më shumë si një grup nxënësish të përulur përpara mësuesit autoritar sesa si një brez që kërkon të ndryshojë diçka.

Në mazhorancë, Edi Rama ka përzgjedhur një kastë të rinjsh që tentojnë të flasin si ai, të lëvizin si ai, dhe – kur është e nevojshme – edhe mundohen të pikturojnë fjalimet e tyre me të njëjtat ngjyra të zbehta të batutave të lodhura. Tallavaja gjuhësore është bërë normë: një miks midis provincializmit “cool”, TikTok-ut të dështuar dhe servilizmit të shekullit XIX.

Në vend që të flasin për sfidat e një Shqipërie moderne, këta të rinj përpiqen të impresionojnë me metafora të lodhura dhe shprehje si “Pasaporta Evropiane”, ndërkohë që avioni i Rinasit mbushet përditë me të rinj që nuk e shohin veten askund në këtë shfaqje groteske.

Po opozita? Mos vallë ishte ndryshe?
Jo! Sali Berisha, i cili kishte një mundësi historike për të futur të rinj të artikuluar, të guximshëm dhe të formuar, zgjodhi… të njëjtët. Ose më keq akoma: një brez të ri që flet si ai, mendon si ai dhe, mbi të gjitha, nuk guxon kurrë të dalë nga rreshti.

Në vend që të promovonte të rinj që dinë të sfidojnë, të mendojnë dhe të ndërtojnë, Berisha ngriti krahët për të përkëdhelur më servilët, më të heshturit dhe më të përshtaturit me doktrinën “Duhet të thuash vetëm atë që do lideri të dëgjojë dhe të shpallësh armik publik SPAK”

Në Shqipëri, duket se rinia politike është krijuar për të njëjtin qëllim: të mbushë sheshet në tubime, të duartrokasë kur lideri bën një batutë dhe të postojë më pas në Instagram.

Nëse ka një skenë që përmbledh gjithë realitetin tonë politik, është kjo: një të ri që lexon një fjalim të mërzitshëm, pa ndonjë ide brenda, ndërkohë që prapa tij shefi buzëqesh me krenari, sikur të ketë shpikur një pasardhës të denjë. Në fakt, ka shpikur vetëm një zëdhënës tjetër të mediokritetit.

Dhe Shqipëria mbetet këtu, në këtë rreth vicioz ku të rinjtë, në vend që të ndërtojnë një të ardhme ndryshe, zgjedhin të përsërisin të shkuarën — me një filtër të hollë Instagrami mbi të.

Deri atëherë, gëzuar Shqipëria e fjalimeve boshe dhe e të rinjve të moshuar para kohe!

Latest articles

Related articles