Gjykata dhe Prokuroria e Beratit ka përdhosur në mënyrën më banale kodet dhe ligjet e shtetit shqiptar, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, disa prej të cilave me 3\4 e deputetëve. Pezullimi i drejtorit të AMP-së, Florian Sulejmani, është në kundërshtim të hapur edhe me vetë ligjin për funksionimin e vetë SPAK-ut apo të Gjykatës së Posaçme, pasi hetimi dhe gjykimi i drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura është kompetencë e tyre.
Prokuroria dhe Gjykata e Beratit ka marrë atributet e kësaj akuze, duke sfiduar hapur Prokurorinë e Posaçme, pasi jo vetëm që nuk e deleguan në këtë organ akuze, por vijuan dhe kërkuan në gjykatë një masë sigurie.
Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Beratit është “mburrur” se ka analizuar edhe ligjin për “policinë gjyqësore” apo ligjin për “funksionimin e AMP-së”. Por e ka lexuar gabim!
Në një nga nenet e ligjit për AMP-në, shkruhet teksualisht; Drejtori i Përgjithshëm emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë! Ku është shkelja me transferimin e punonjësve?! Apo më saktë, çfarë vepre penale ka kryer drejtori kur ka zbatuar ligjin e AMP-së?!
