Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj Antal Rogán, një prej ministrave dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, duke argumentuar se masa ndëshkuese “nuk përputhej më me interesat e politikës së jashtme të SHBA-së”.
Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Shtetit amerikan, pas një telefonate mes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe homologut hungarez, Péter Szijjarto, të martën.
“Sekretari informoi ministrin e Jashtëm Szijjarto për largimin e zyrtarit të lartë hungarez Antal Rogan nga lista e sanksioneve, duke theksuar se mbajtja e tij në këtë listë nuk i shërbente më qëllimeve të politikës sonë të jashtme,” tha Tammy Bruce, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.
Largimi i sanksioneve vjen në një moment kur pritet rritje e tensioneve politike ndërkombëtare, ndërsa Viktor Orban vazhdon të afrojë marrëdhëniet me Donald Trump dhe ruan një qëndrim të përmbajtur ndaj luftës në Ukrainë, duke pasur lidhje të ngrohta me Moskën