Prof. Taulanda Jupi: Çelja e fushatës e PS si një dasmë e turpshme politike, 2 mundësitë e 11 majit

spot_img

Kandidatja Taulanda Jupi: 11 Maji, zgjedhje mes privilegjeve për pakicën dhe begatisë për shumicën

Taulanda Jupi, kandidate e Koalicionit Euroatlantik për zgjedhjet e 11 majit në Tiranë, ka publikuar sot një opinion të fortë me titull “Dy Shqipëritë e 11 Majit”, ku denoncon me tone të qarta kontrastin dramatik midis një pakice që feston mbi kurrizin e shumicës, dhe Shqipërisë së qytetarëve të ndershëm që përballen çdo ditë me pasiguri, mungesë perspektive dhe përjashtim nga proceset vendimmarrëse.

Duke iu referuar aktivitetit të organizuar nga qeveria në Sheshin Skënderbej fundjavën e kaluar, Jupi e përshkruan atë si “një dasëm politike të turpshme”, të financuar me taksat e shqiptarëve, në një vend ku më shumë se 700 mijë njerëz janë larguar në 12 vitet e fundit.

Në tekstin e saj, ajo bën një ndarje të qartë mes dy realiteteve: Shqipërisë së privilegjuar të pushtetit dhe Shqipërisë së përditshme të punës, sakrificës dhe shpesh, heshtjes.

“Unë besoj te Shqipëria e mundësive të barabarta,” shkruan Jupi, duke e kthyer këtë opinion në një thirrje të qartë për reflektim dhe për ndryshim përmes votës më 11 maj.

Opinioni i plotë i Taulanda Jupit:

Dy Shqipëritë e 11 Majit

Taulanda Jupi
Kandidate për Deputete në Tiranë

Të shtunën që lamë pas, shqiptarët u bënë dëshmitarë të një feste të turpshme. Në zemër të kryeqytetit, mbi Sheshin Skënderbej, Edi Rama vendosi të organizojë një dasëm politike, një spektakël i paguar me paratë e qytetarëve, i ngritur mbi dëshpërimin e 700 mijë shqiptarëve që u detyruan të lënë vendin gjatë 12 viteve të fundit.

Mos vallë po festohej ikja e tyre? Apo ndoshta finalizimi i një martese 12-vjeçare mes pushtetit dhe parasë, në një oborr ku hyrja është e lejuar vetëm për pakicën e privilegjuar?

Atë ditë pamë dy Shqipëri. Njëra është Shqipëria e njerëzve të ndershëm, e prindërve që punojnë pa orar për të rritur fëmijët me dinjitet, që luftojnë për t’u dhënë atyre arsim dhe një të ardhme më të mirë. Këtyre shqiptarëve nuk u ofrohet asnjë festë, asnjë shpërblim, asnjë lehtësim për mundin dhe sakrificën e tyre.

Tjetra është Shqipëria e pakicës së oborrit qeveritar, një botë ku pushteti feston çdo ditë suksesin e vet mbi dështimin e shumicës. Aty ku taksat janë të papërballueshme, çmimet marramendëse, pagat të pamjaftueshme, dhe ku shëndetësia, arsimimi e strehimi trajtohen si luks, jo si të drejta themelore.

Kjo dasëm e turpshme që u shfaq me pompozitet në media nuk ishte një moment i gëzimit kombëtar. Ishte shfaqje e një Shqipërie të deformuar, ku një pakicë sundon mbi një shumicë të heshtur, të lodhur dhe të përjashtuar.

Pas 34 vitesh tranzicion, më shumë se gjysma e shqiptarëve janë larguar. Ata nuk janë larguar për aventurë. Janë larguar sepse Shqipëria nuk u ofroi më as dinjitet, as perspektivë, as mundësi. Sepse Shqipëria e tyre, ajo e sakrificës dhe punës së ndershme, po zvogëlohet dhe po vdes çdo ditë. Ndërsa Shqipëria e oborrit shtetëror vetëm pasurohet, vetëm forcohet, vetëm betonizohet.

Sot, më shumë se kurrë, na duhet një zgjedhje. Një ndarje e qartë mes pakicës që sundon, pasurohet dhe feston mbi padrejtësitë dhe shumicës së heshtur që punon pa pushim dhe në këmbim merr një lëmoshë për mbijetesë, jo shpërblimin e drejtë të djersës së ballit.

Unë besoj te Shqipëria e mundësive të barabarta. Shqipëria prej të cilës të rinjtë nuk ikin, por krijojnë dhe ndryshojnë vendin. Shqipërinë ku profesionistët nuk shfrytëzohen, por respektohen dhe shpërblehen. Shqipëria ku qytetari është në qendër të politikës, jo i fundit në rradhë.

Më 11 maj, shqiptarët nuk do të zgjedhin midis dy apo tre politikanëve. Do të zgjedhin mes dy Shqipërive: mes asaj që feston vetëm për vete dhe asaj që punon për të gjithë.

Latest articles

Related articles