nga Rosela Dhimitri
Si ka mundësi që medikamente të targetuara dhe imunoterapitë që mungojnë në Shërbimin Onkologjik të QSUT-së, disa prej të cilave kushtojnë mbi 4,000 dollarë flakoni, gjenden menjëherë në farmacitë private përballë spitalit? A janë këto ilaçe të njëjtat që duhet të jenë në stok për pacientët me kancer dhe që shteti i blen me fondet e tij?
Si ka mundësi që sa herë akseleratorët për radioterapi ndalojnë së funksionuari për shkak të “defekteve teknike”, një spital privat—i vetmi në vend që ofron këtë shërbim—del me ofertë të gatshme për pacientët vetëm 24 orë më parë? A janë këto defekte të rastësishme apo pjesë e një skeme të qëllimshme për të kanalizuar pacientët drejt sektorit privat?
Si ka mundësi që drejtuesit e Onkologjikut takohen një herë në javë me drejtuesit e këtij spitali privat? Për çfarë diskutohet në këto takime? Për përmirësimin e shërbimit publik apo për të garantuar që pacientët me kancer të përfundojnë në sistemin privat, ku çdo trajtim ka kosto stratosferike?
Edi Rama nuk është ai që vjedh drejtpërdrejt medikamentet, as ai që prish akseleratorët, por është përgjegjës për këtë sistem që lejon manipulimin e barnave të jetës dhe orkestrim të defekteve teknike për interesa private.
Kjo nuk është thjesht neglizhencë apo keqmenaxhim—është krim ndaj pacientëve onkologjikë, të cilët nuk kanë as kohë për të pritur dhe as mundësi për të paguar. Kush po bën tregti me jetën e tyre? Kush po pasurohet nga vuajtja e pacientëve? Dhe më e rëndësishmja—pse ende nuk ka asnjë përgjegjës për këtë skandal?