nga Endri Tafani
Kur Presidenti kinez Xi sulmoi Jack Ma, CEO i Alibaba, kompanisë me të madhe kineze, e bëri këtë gjë për të dhënë një mesazh të qartë. Biznesmenët nuk duhet të përziheshin me politikën e qeverisë kineze. Qëllimet politike të Partisë komuniste kineze janë primare dhe supreme. Biznesmenët duhet të jenë vetëm për të krijuar pasuri dhe për ta bërë kombin me të fortë, por se si drejtohet kombi këtë e kanë në dorë vetëm qeveritarët dhe biznesmenët nuk duhen përzier me ta.
Kjo është një traditë e vjetër, origjinale e qeverisjes kineze në të cilën ekzistonte klasa e qeveritarëve e quajtur SHI dhe klasa e biznesmenëve e quajtur SHANG. Sipas traditës qeverisëse kineze në një shoqeri duhet të ekzistojë një rregull dhe hierarki ku suprem janë qeveritaret (SHI) dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të përzihen klasat me njëra tjetrën.
Modeli kinez duket sikur ka një përplasje me modelin perëndimor ku biznesmenët jo vetëm janë shkrirë me klasën politike, por dhe kanë dalë në krye të vendit duke qenë ata klasa supreme.
Duke parë shtrembërimin dhe krizat që i kanë ardhur demokracisë me futjen gjithmonë e më të madhe të biznesmenëve në të, duket sikur sistemi I qeverisjes kineze tregon një të vërtetë të madhe. Biznesmenët nuk duhet të merren me politikë. Qeverisja nuk është një biznes, ku ulen kostot dhe qëllimi kryesor është përfitimi. Qeverisja ka të tjera qëllime dhe biznesmenët me mënyrën si janë mësuar të veprojnë, janë të papërshtatshëm për marrjen e posteve qeveritare.
Se si mund të ndërthuret ku parim lindor kinez me parimet perëndimore të demokracisë është sfida e mundshme e një shoqërie të ardhshme.