Basha në Berat, prezanton kandidatët e Koalicionit Euroatlantik: 11 maji, një ditë për ndryshimin

spot_img

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në qytetin e Beratit, ku prezantoi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit: Kristiana Arapi, Altin Cankaj, Eugert Cjapi dhe Bujar Hoxhaj.

Basha theksoi se Koalicioni Euroatlantik garon me lista të hapura, duke u dhënë qytetarëve mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit që besojnë dhe duke i hapur rrugën një politike të re, të ndërtuar mbi vlera qytetare, transparencë dhe integritet.

“Berati meriton më shumë, ashtu si çdo qytet dhe çdo familje shqiptare. Kjo është arsyeja pse ne po ofrojmë një alternativë të qartë dhe konkrete për zhvillimin ekonomik, bujqësinë, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Basha.

Plani për bujqësinë: më shumë mbështetje, më pak korrupsion

Basha denoncoi korrupsionin me fondet e BE-së për bujqësinë, duke theksuar se qeveria Rama nuk është zgjidhja, por vetë problemi për fermerët shqiptarë. Ai tha se guximi për të abuzuar me fondet që i takojnë drejtpërdrejt familjeve fermere, kërkon një reagim të fortë nga drejtësia, dhe shprehu mbështetjen e plotë për hetim të thelluar nga SPAK.

Sipas programit të Koalicionit Euroatlantik, bujqësia do të mbështetet çdo vit me 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta dhe 50 milionë euro për infrastrukturë rurale, me synimin për të ndihmuar rreth 150 mijë familje fermere që aktualisht janë të lëna në harresë nga qeveria.

“Shqipëria nuk duhet të jetë më gazi i botës për shkak të skandaleve të një qeverie të paaftë e të korruptuar. Shqipëria meriton më shumë dhe me ne do të ketë më shumë,” tha Basha.

Programi anti-korrupsion: një luftë e drejtpërdrejtë me sistemin e kalbur

Në fjalën e tij, Basha paraqiti një program gjithëpërfshirës kundër korrupsionit, të ndërtuar mbi dymbëdhjetë masa konkrete, që përfshijnë:
• Themelimin e Njësisë për Zbulimin dhe Rikuperimin e Pasurive të Vjedhura;
• Fuqizimin e bashkëpunimit me SPAK dhe GJKKO;
• Reformimin e Ligjit Anti-Mafia dhe heqjen e imunitetit për deputetët;
• Konfiskimin e pasurive të zyrtarëve të korruptuar dhe anulimin e kontratave abuzive;
• Kthimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një Gjykatë me fuqi ekzekutive.

Sipas Bashës, zbatimi i këtyre masave do të rikthejë besimin te shteti, do të kthejë miliarda euro të abuzuara në shërbim të qytetarëve dhe do të ndalë shpopullimin që po shkakton korrupsioni dhe padrejtësia.

Plani për ekonominë: taksë e sheshtë dhe zhvillim me meritokraci

Basha prezantoi gjithashtu propozimin për taksën e sheshtë 9%, për të gjitha kategoritë: tatim fitimi, të ardhura personale, të ardhura nga profesionet e lira dhe dividendet.

“Kjo është një ofertë që publiku e ka përthithur si uji në rërën e nxehtë. Ne propozojmë një model të ri ekonomik që nxit punën, krijon mundësi dhe kthen meritokracinë si themel të zhvillimit,” tha ai.

Sipas tij, brenda katër viteve të para të qeverisjes, Shqipëria do të arrijë standardin më të lartë të jetesës në rajon, përmes një ekonomie konkurruese dhe të hapur për investime.

11 maji, një ditë për ndryshimin

Në përfundim të takimit, Basha theksoi se vota më 11 maj për numrin 4 është një votë për ndryshim, për një Shqipëri me më shumë drejtësi, më shumë mirëqenie dhe më shumë mundësi për të gjithë qytetarët.

Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive dhe për angazhim qytetar, duke theksuar se koha e premtimeve boshe ka marrë fund, dhe se Koalicioni Euroatlantik vjen me një ofertë konkrete dhe të realizueshme për të ardhmen e vendit.

Latest articles

Related articles