Për Enejdin, Erildin, Enrikejdin dhe Andin…

spot_img

Igli Çelmeta

Mëngjesi i kësaj të enjte na solli lajmin e kobshëm të humbjes tragjike të jetës së katër të rinjve në një aksident në Fushë-Prezë. Një lajm që na tronditi të gjithëve, na shokoi, ku katër të rinj në lule të rinisë u larguan nga kjo jetë, duke i lënë një brengë të madhe familjeve të tyre, por edhe shoqërisë shqiptare që ende nuk di ku të gjejë fajtorët sa herë ndodhin tragjedi.

Dy vëllezër, Enejdi dhe Erildi, siç thonë miqtë e tyre, djem shembullorë, shakaxhi në shoqëri dhe punëtorë. Enejdi punonte në një fabrikë, ndërsa Erildi në emigracion. Kushëriri i tyre Andi, një djalë i shkëlqyer, i cili punonte berber që me dy kushërinjtë e tij shkonin si vëllezër. Po ashtu edhe shoku i tyre Enrikejdi i cili ishte si një vëlla për tre djemtë, ishte një djalë i punës, i cili punonte në një dyqan celularësh. Të katër djemtë kishin zgjedhur rrugën e punës, rrugën e të drejtës, rrugën e shoqërisë së pastër dhe që gjithmonë të ishin bashkë. Deri mbrëmjen e mallkuar të së martës ku bashkë ashtu siç kishin qëndruar gjithmonë ndoqën “rrugën” e gabuar. Enejdi, Andi dhe Enrikejdi të lumtur se nga jashtë do të kthehej Erildi u nisën për ta shkuar dhe ta marrë në Rinas. Kthimi ishte fatal, ndoqën rrugën e gabuar. Jo, nuk e zgjodhën me dëshirën e tyre, por ndoqën të vetmen rrugë, atë të gabuarën të ndërtuar ndër vite nga ky shtet i qelbur, ku të gjithë janë mësuar të shkelin ligjin dhe të veprojnë sipas qejfit. Katër djemtë ishin në rrugën e tyre, ndoshta edhe prej moshës dhe gëzimit të “dehur” pak nga adrenalina e shpejtësisë, por ishin në rrugën e tyre për t’u kthyer sërish në shtëpi pasi të nesërmen do të dilnin sërish në jetë për të realizuar ëndrrat që kishin për të ardhmen. Por fatkeqësisht, kjo ëndërr u ndërpre në nisje të rrugës së tyre të gjatë, u ndërpre nga një betoniere. Një “betoniere” e cila brenda saj ka gjithë llumin që i mbylli sytë katër të rinjve, ka shtetin e qelbur që nuk mbron qytetarët e tij dhe lejon paligjshmërinë dhe reagon vetëm kur ndodhin ngajrje tragjike, ka brenda shoferin pa patentë që ndalon në rrugë pa drita dhe bllokazh, ka brenda policinë që mbyll syrin para paligjshmërisë, ka brenda atë që mundohet të fshehë të vërtetën, ka brenda administratorin e firmës dhe pronarin që punojnë vetëm në paligjshmëri, ka brenda errësirën e asaj rruge që ka mbyllur edhe sytë e shtetit.

Ishte kjo “betoniere” e mbushur me mëkate që i ndërpreu rrugën e ëndrrave katër të rinjve, që në pamje duket që rrezatonin mirësi dhe gëzim. Në një vend ku nuk funksionon asgjë, mirësia dhe gëzimi shuhen papritmas.

Ky është vendi ynë, një “betoniere” e mbushur plot me llum.

Enejd, Erild, Enrikejd dhe Andi na falni që ende në këtë vend qarkullojnë “betoniere” të mbushura me llum. Shpirti u pastë dritë në parajsë!

Latest articles

Related articles