Basha prezanton kandidatët në Lezhë: Vota për Koalicionin Euroatlantikë, votë pro SPAK

spot_img

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka prezantuar ditën e sotme kandidatët për deputetë të qarkut të Lezhës. Prel Dedaj, Aleksandër Jushi, Kejda Myftari, Flora Myrta, Eduart Ndocaj, Kol Nikolli dhe Sander Prenga, janë 7 kandidatët që do të garojnë në listën e hapur dhe do kërkojnë votën e banorëve të këtij qarku.

Në fjalën e tij Basha theksoi angazhimin e grupimit që drejton për mbështetje të fuqishme ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi. Ai deklaroi se Koalicioni Euroatlantik është i vetmi që mbështet plotësisht SPAK, duke e cilësuar atë si shpresën e shqiptarëve për të luftuar pandëshkueshmërinë.

Basha tha se ndryshe nga kundërshtarët që kanë frikë nga drejtësia dhe duan ta minojnë atë për interesat e tyre, Demokratët Euroatlantik angazhohen për të dyfishuar mbështetje për SPAK, duke përfshirë paketën ligjore për forcimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë vettingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të parlamentarëve.

Basha nënvizoi se vota për Koalicionin Euroatlantik është një votë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Ne, Demokratët Euroatlantikë, Koalicioni Euroatlantikë kemi qëndruar e qëndrojmë pa asnjë dilemë dhe me mbështetjen më të fuqishme pro drejtëisë, pro SPAK e cila është shpresa e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është veçoria e parë që na ndan me të tjerët. Të gjithë të tjerët i ka bashkuar frika ndaj SPAK. Kanë frikë për zullumet, kanë frikë se u kanë hyrë në hak shqiptarëve. Dhe projekti i tyre i përbashkët, është ta ngadalësojnë, ta frenojnë, e mundësisht ta shkatërrojnë drejtësinë, para se drejtësia t’i vendos ata para përgjegjësisë, e t’i bëjë të japin llogari sipas ligjit. Pra, gjëja e parë që na bashkon në këtë sallë, që kemi shumë gjëra që na bashkojnë këtu e na ndajnë me të tjerët, është mbështetja totale për SPAK, të cilit jo vetëm i themi punë e mbarë, por që në shtator e tutje do ta mbështesim me paketën tonë ligjore të hartuar në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, për t’i dyfishuar mjetet financiare, burimet njerëzore, për t’i dhënë infrastrukturën e nevojshme ligjore, duke filluar me vettingun e politikanëve, me heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Sepse parlamenti i ardhshëm i Shqipërisë, nuk mund të jetë si ky që po shkon, një parlament i privilegjit, një parlament i hajnis, një parlament i korrupsionit, një parlament mbi ligjin. Parlamentarët duhet, e me ndihmën e Zotit dhe votën e shqiptarëve të jenë të barabartë me ligjin si çdo qytetar tjetër.
Për këtë arsye, ne kemi pasur parasysh në përzgjedhjen e kandidaturave tona kushtin e padiskutueshëm të mbështetjes totale ndaj SPAK dhe Reformës në Drejtësi. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit e njëkohësisht të jesh kundër SPAK. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit e të bashkosh votat me Edi Ramën për të liruar të korruptuarit e dënuar nga SPAK. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit, e t’i presësh fondet SPAK-ut. Ndj të jemi të qartë dhe pa asnjë dilemë, ka një forcë politike, le ta dinë mirë shqiptarët, që do ta dyfishojë, e do ta trefishojë mbështetjen për SPAK-un, e vetmja forcë politike që do ta bëjë këtë në bashkëpunim me partnerët tanë Euroatlantikë, është Koalicioni Euroatlantik. Ndaj dhe vota për Koalicionin Euroatlantikë, për kolonën 4 në fletën e votimit, është e vetmja votë në mbështetje të SPAK-ut, kunër korrupsionit, kundër pandëshkueshmërisë.

Latest articles

Related articles