Katër Shqipëritë – ANALIZA

spot_img

nga Edmond Arizaj

E para është dhe më “e ndritshmja”, Shqipëria nga facebook i Edi Ramës. E bukur, e përparuar, krah për krah Francës në ekonomi, përpara Gjermanisë për shërbimin e kafes, kaluar Greqisë për turizëm, flamurtare e rajonit për rritjen e jetesës, teorikisht e pranuar në BE që para 5 vjetësh.

E dyta është “mjerania”, Shqipëria nga facebooku i Sali Berishës. Vetëm zi. Vetëm ulërima. Vendi vjen pas Somalisë për korrupsionin, prodhon e shet drogë më shumë se Afganistani e Kolumbia, krimi është më i fortë se në Ekuador, vrasje ka më shumë se në Meksikë, ligji zbatohet pothuaj sa në Kamboxhia.

E treta është Shqipëria që na vjen nga përgjimet e organeve ligjzbatuese të huaja. Në një fotografi të çastit (përgjimet e 1-2 viteve) krimi ka tentakulat e tij në drejtori, në ministri, në qytete, në polici, në prokurori, në gjykata, nxjerr deputetë, përfiton toka, vret njerëz, bën plane për të vrarë pa u shqetësuar asnjë moment për reagimin e policisë (sa e çuditshme!) por vetëm për reagimin e kundërshtarëve…

Për t’i plotësuar tri Shqipëritë, është edhe Shqipëria e mbrëmjes në ekrane ditë pas dite, ku pak, ose aspak ka një mendje që kundërvihet sistemit.

Shqipëria e katërt është ajo që nuk e shohim, sepse nuk i intereson askujt. Të rinj që përpiqen të gjejnë veten në xhunglën e krijuar dhe në pamundësinë e prindërve për ndihmë; mesoburra e gra që përpiqen të “çajnë” murin e miqësive, lidhjeve, ndereve për një vend pune, një projekt a ide brilante; punëtore e punëtorë kokëulur që kanë pranuar realitetin, por shpresojnë për një më të mirë për fëmijët duke i shkolluar me sakrifica; pensionistë që presin me ankth ndonjë lëmoshë në prag zgjedhjesh, a ndonjë dërgesë nga fëmijët emigrantë; thashethemexhinj e llafollogë nga gjithë moshat që s’kanë ç’bëjnë tjetër veç të ngatërrojnë dynjanë; hileqarë që bëjnë çmos të përfitojnë padrejtësisht e forcërisht; militantë injorantë që u japin mendje profesorëve sepse kanë në dorë projekte e mundësi; debate absurde lartë e poshtë rrjeteve ku sharja, kërcënimi e egërsia kanë zëvendësuar debatin dhe mendimin normal; intelektualë të dorëzuar në pamundësi të ndryshojnë diçka në shpirt e në trup të qytetarëve; rebelë të rinj e të vjetër që shohin ziliqarë serbët dhe grekët që protestojnë pak herë për gjëra të rëndësishme, por trondisin sistemet; njerëz të mrekullueshëm që e duan vendin me zemër e përpiqen të japin më të mirën e tyre kudo ku janë; përpjekje titanike nga emigrantët për të ndërtuar në fshatrat e qytetet e tyre, pavarësisht pengesave e burokracive; familje që lundrojnë në lumenj pasigurie nga dita në natë; tragjedi të konsumuara brenda një shtëpie, a një pallati, a një lagjeje, për të cilat nuk ka përgjegjësi askush e aq më pak solidaritet; mijëra vendime e shërbime që jepen në bazë miqësie e pagese e jo të drejte, duke hapur të tjera plagë; njerëz punëtorë, shumë punëtorë, që besojnë vetëm djersën dhe gjakun e tyre; familje të tëra që debatin më të madh intelektual mes tyre e kanë për lidhjet dashurore mes bigbrathistëve teksa shënojnë emrin në listën e ushqimores me shpresën se do vijnë kandidatët për deputetë dhe do t’ua paguajnë…

Jemi në fushatë elëktorale, por askush nuk po premton arsim e dije për mijëra të rinj, askush nuk po premton rregull-rend-zbatim ligji, askush nuk po premton kufirin tek thana për lidhjet e krimit me strukturat e shtetit, askush nuk po premton mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtës të çdo qytetari përballë dhunës së pushtetit, apo të fortit…
Besoj që këto nuk kanë për të ardhur ndonjëherë seriozisht, derisa shqiptarët, ashtu si grekët dhe serbët, t’i kërcasin dhëmbët çdo pushteti për drejtësinë, transparencën, përgjegjësitë, korrupsionit, neglizhencës dhe talljes.

Latest articles

Related articles