Kodi Zgjedhor mund të ndryshojë përsëri. Nga Elbasani, ku takoi kandidatët për deputetë të qarkut dhe strukturat drejtuese të demokratëve, Sali Berisha tregoi pakënaqësitë e tij për kodin aktual elektoral.
Korrigjimet e bëra në fundkorrikun e vitit të shkuar sa i përket listave të hapura, kur u hoq herësi prej 10 mijë votash dhe lista u nda në dy pjesë, e mbyllur dhe e hapur, për të nuk janë të mjaftueshme, ndaj premton se pas zgjedhjeve do të ulet në tryezë me kundërshtarët për ta përmirësuar.
“Prapë lista është e padrejtë, unë e them. Por, siç ishte, ishte më keq. Sepse për t’u futur deputet, duhet të merrje 10 mijë vota. U futën 3-4 vetë gjithsej. Kurse kështu, këta që kanë mbetur, kush merr më shumë, futet. Shpresojmë që pas zgjedhjeve të ndryshojmë kodin dhe ta bëjmë të drejtë”, deklaroi Berisha.
Në fakt, listat e mbyllura i ka kërkuar ai. E ka thënë negociatori i PS, Damian Gjiknuri. Gjiknuri tha gjithashtu se Partia Socialiste ishte për një formulë tjetër, por varianti final erdhi si rezultat i kundërpropozimit nga Partia Demokratike me të cilin u gjet “kompromisi kushtetues”.