Me argumentin e një rrjeti të sigurt pas sulmeve kibernetike si dhe mosdekonspirimit të informacioneve sekrete dhe të dhëanve sensitive, policia shqiptare ka nisur të përdor prej afro një muaji aplikacionin “StashCat” njohur si “Macja Sekrete”.
Emisioni “FactCheck” mëson se prej afro një muaji, efektivëve të Policisë Shqiptare, veçanërisht atyre në nivele drejtuese dhe atyre që kanë akses në informacione sekrete apo të klasifikuara, u është kërkuar të shkarkojnë një aplikacion gjerman.
Ky aplikacion është i disponueshëm për Android dhe iOS, ndërsa komunikimet nga Whatsapp janë zhvendosur në StashCat.
Por çfarë është StashCat?
Stashcat është një platformë e sigurt për mesazhimin dhe menaxhimin e ekipeve, e përdorur kryesisht nga organizatat, institucionet qeveritare dhe forcat e sigurisë.
Është veçanërisht popullor në Gjermani dhe disa vende evropiane, ku përdoret si një alternativë e sigurt ndaj aplikacioneve të zakonshme të mesazheve si Whatsapp apo Telegram.
Karakteristikat kryesore të StashCat
Kriptim i fuqishëm- Mesazhet dhe dokumentet janë të mbrojtura me enkriptim të fund-me-fund.
Komunikim i strukturuar- Përdor kanale dhe grupe për organizimin e komunikimit brenda ekipeve.
Cloud Storage i integruar- Lejon ndarjen dhe ruajtjen e dokumenteve në mënyrë të sigurt.
Mbështetje për pajisje të ndryshme- Funksionon në desktop, smartphone dhe tabletë.
Administrim qendror- Organizatat mund të menaxhojnë përdoruesit dhe të vendosin rregulla sigurie.
Kjo platformë është bërë veçanërisht e njohur në Gjermani, ku përdoret nga policia dhe institucionet arsimore si një zgjidhje më e sigurt se aplikacionet tradicionale të mesazheve.