Loja në prapaskenë e Trump me Iranin- ANALIZË

spot_img

nga Sebastian Zonja

Ka kaluar pa shumë vëmendje një lëvizje interesante e presidentit amerikan Donald Tramp kur tha të premten se i ka shkruar liderit suprem të Iranit duke kërkuar bisedime të reja mbi programin bërthamor. Bashkë me kërkesën kishte edhe një paralajmërim për veprime të mundshme ushtarake nëse kthejnë përgjigje “jo”. Po ashtu, këtë javë, amerikanët kanë futur në lojë një paketë të madhe sanksionesh për industrinë e naftës iraniane për të “kolapsuar ekonominë tashmë të brishtë”, tha sekretari i Thesarit Skot Besent. Synimi është zvogëlimi i eksporteve në 1.5 milionë fuçi në ditë, ulja e aftësisë së prodhimit të dronëve dhe ndërprerja e aksesit në sistemin financiar ndërkombëtar.
Ky hap amerikan tregon largim nga vija e ashpër gjatë mandatit të parë, ndërsa e vendos në pozicion të kundërt me aleatin e ngushtë, Izraelin. Duhet parë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë lobi hebre në Amerikë pas kësaj qasjeje të re të Trampit.
“Shpresoj se mund të kemi një marrëveshje paqeje. Jemi në momentet e fundit për programin bërthamor iranian. Më mirë të kemi një marrëveshje paqeje sesa aksion ushtarak”, u tha Trampi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ndëkrohë, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara thotë se nuk ka marrë ndonjë letër. Po ashtu edhe lideri suprem.
Më herët, në vitin 2015, ish-presidenti Barak Obama negocioi heqjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe, në këmbim, Tehrani nuk vijonte me programin bërthamor. Në vitin 2018 Trampi u tërhoq nga marrëveshja e Obamës. Sot, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Irani mund të ndërtojë bombë bërthamore brenda dy javësh nëse ndërmerr një nismë të tillë.
Ilon Mask është takuar pak javë më parë me ambasadorin e Iranit në Kombet e Bashkuara për të dhënë mesazhin se Trampi dëshiron stabilitet dhe diplomaci.
Iranianët ndërkohë thonë se program i tyre bërthamor nuk mund të shkatërrohet përmes operacioneve ushtarake. Aktualisht, Irani është në pozita shumë të dobëta. Izraeli shkatërroi mbrojtjen ajrore iraniane dhe ka goditur dy lëvizjet aleate: Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun e Libanit. Aleati tjetër kryesor rajonal i Iranit, Beshar Al Asadi i Sirisë, u rrëzua në dhjetor.
Gjatë një interviste me gazetarin Taker Karlson, kryeministri i Katarit Sheik Mohamed bin Abdulrahman bin Jasim Al-Thani ka paralajmëruar se një sulm mbi objektet bërthamore të bregut të Gjirit të Iranit do t’i linte vendet e gjithë rajonin pa ujë.

Latest articles

Related articles