Ilirian Agolli, VOA
Në Tiranë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se SPAK-u nuk do të ndërhyjë në fushatat e partive politike, por hetimet e tij për krimet zgjedhore bazohen në ligjin shqiptar dhe në një Rezolutë të Kuvendit. Zoti Dumani i bëri këto komente në një tryezë mbi krimet zgjedhore, një ditë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi që të ndalet, siç u shpreh ai, “survejimi i partive politike në proces zgjedhor”. Drejtuesi i SPAK-ut tha se në qendër të punës së hetuesve do të jenë shqetësimet e njohura të vëzhguesve mbi shitblerjen e votave, presionet ndaj votuesve dhe përdorimi i burimeve shtetërore.
“Askush nuk duhet të ketë frikë, për sa kohë që është në përmbushje të detyrimeve ligjore e kushtetuese”, tha drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, sot në një tryezë mbi integritetin dhe standartet e zgjedhjeve të ardhshme.
Në këtë takim mbi krimin zgjedhor, transparencën financiare dhe burimet shtetërore, ku morën pjesë diplomatë, politikanë, përfaqësues të KQZ-së të prokurorisë dhe të shoqërisë civile, zoti Dumani tha se grupet e verifikimit në terren të Prokurorisë së Posaçme do të jenë patjetër atje për të patur kontakt me informacionet dhe me persona, që duan të denoncojnë krimet zgjedhore, në kontakt me policinë vendore dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me qëllim që të trajtohen sa më parë në kohë reale të dhënat që mblidhen dhe nëse ka vend ose jo për të ushtruar ndjekjen penale.
“Hetimi do të kryhet duke respektuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në përputhje me ligjin. Nuk është punë e Prokurorisë së Posaçme të ndërhyjë as në fushatë as në aktivitete politike të subjekteve politike. Prokuroria e Posaçme ka detyrë që në rastet kur ndeshet me krime zgjedhore, të cilat janë në juridiksionin e saj, të hetojë dhe të ushtrojë ndjekjen penale”, tha zoti Dumani.
Përfaqësuesi i SPAK-ut tha se strategjia e këtij institucioni kundër krimit zgjedhor synon të parandalojë dhe të hetojë në mënyrë të plotë veprat e dyshuara penale gjatë zgjedhjeve të majit, sipas kërkesave të ligjit shqiptar, pa asnjë paragjykim politik.
Ai tha se strategjia dhe plani i punës kundër krimit zgjedhor janë në përputhje edhe me një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë për SPAK-un, ku është rekomanduar që ky institucion të ketë një qasje më proaktive, duke i kushtuar vëmendje të veçantë hetimit të krimeve zgjedhore, duke nisur hetime edhe me nismën e vet.
Zoti Dumani i bëri sot këto komente në një tryezë mbi krimet zgjedhore, një ditë pasi kryeministri Edi Rama komentoi përmes rrjeteve sociale planet e organeve të hetimit për të ndjekur nga afër në terren krimet e mundshme zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Zoti Rama tha se përpjekja e përbashkët kundër krimeve zgjedhore duhet bërë duke mbajtur secili institucion pozicionin e vet kushtetues, në të kundërt sipas tij, do të ishte një ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre.
“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet”, tha zoti Rama.
Për këtë qasje të zotit Rama reagoi në tryezën e sotme edhe organizata Qëndresa Qytetare, një nga organizatoret e takimit të nivelit të lartë. Përfaqësuesi i saj Migen Qiraxhi, tha për Zërin e Amerikës se veprimtarët ishin të shqetësuar që zoti Rama i bëri këtë interpretim pranisë më të shtuar dhe më aktive të organeve ligjzbatuese në monitorimin e fushatave zgjedhore, gjë që e kërkon vet ligji dhe shoqëria civile. Shqetësimi i partive politike për këtë monitorim, tha ai, ngre dyshime për mundësinë e veprimtarive joligjore gjatë fushatës dhe zgjedhjeve.
“Është absolutisht e papranueshme në një vend demokratik që kryeministri, që ka detyra të tjera për të bërë kundrejt qytetarëve të vet, të ndërhyjë në një pushtet, të cilin ne më në fund po fitojmë si një pushtet të pavarur të drejtësisë, të ndërhyhet nga kryeministri dhe ai t’i tregojë se çfarë duhet të bëjë një pushtet, i cili është i pavarur prej tij. Kryeministri ka vetëm detyrat që i ngarkon ligji për të kryer”, tha zoti Qiraxhi.
Diplomatët perëndimorë theksuan në këtë tryezë se rëndësinë që ka mbajtja e zgjedhjeve të rregullta për procesin e integrimit e Shqipërisë në BE, si pjesë e plotësimit të standarteve demokratike dhe mbizotërimit të ligjit në vend.
Organizata vendase dhe të huaja kanë raportuar shpesh për shkelje ligjore gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, si shitblerja e votave, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion ndaj qytetarëve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike, shqetësime që do të jenë në qendër të vëmendjes së hetuesve.
KQZ-ja, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK-u kanë ngritur sivjet një bashkëpunim të ngushtë në përpjekje për të parandalur dhe goditur krimet zgjedhore, që do të shfaqen gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.