Një ekip kinez ka zbuluar një koronavirus të ri të lakuriqëve të natës që paraqet rrezik për transmetim nga kafsha te njeriut pasi përdor të njëjtin receptor njerëzor si virusi COVID-19, transmeton Anadolu.
Siç raporton ‘South China Morning Post’, studimi i kryer nga Laboratori Guangzhou në bashkëpunim me Agjencinë e Shkencave Guangzhou, Universitetin Wuhan dhe Institutin e Virologjisë Wuhan, u botua të martën në revistën shkencore ‘Cell’.
Sipas raporteve, koronavirusi i sapo zbuluar përdor të njëjtin receptor njerëzor si virusi përgjegjës për COVID-19 dhe SARS, respektivisht enzimën e konvertimit të angiotenzinës njerëzore (ACE2).
Virusi, i njohur gjithashtu si HKU5-CoV-2, është një prejardhje e re e koronavirusit HKU5 e zbuluar te lakuriqët japonez të natës në Hong Kong.
Testet laboratorike zbuluan se virusi mund të infektojë qelizat njerëzore dhe indet e mushkërive dhe të zorrëve. Ai gjithashtu mund të lidhet me receptorët ACE2 te njerëzit, lakuriqët e natës dhe kafshët e tjera, duke rritur gjasat e transmetimit midis specieve.
Edhe pse HKU5-CoV-2 ka një aftësi lidhëse më të fuqishme se lloji i tij origjinal me një gamë më të gjerë të pritësve, studiuesit theksuan se ai është shumë më pak i fuqishëm se SARS-CoV-2, virusi përgjegjës për COVID-19. Sipas studiuesve, rreziku i transmetimit të gjerë njerëzor është i ulët.
Shi Zhengli, shkencëtarja kryesore e studimit, është e njohur për punën e saj në Institutin e Virologjisë në Wuhan, i cili është vënë nën kritika për shkak të pretendimeve se COVID-19 e ka origjinën nga një rrjedhje laboratorike, të cilën Shi e ka mohuar.
Më parë, Kina hodhi poshtë “teorinë e mbështeur nga CIA” se pandemia COVID-19 erdhi nga një rrjedhje aksidentale laboratorike në Wuhan dhe jo nga transmetimi natyror në një treg kafshësh.
Rastet e para të virusit COVID-19 u raportuan në Wuhan të Kinës qendrore, në dhjetor të vitit 2019. Më pas u përhap në mbarë botën, duke çuar në bllokime kombëtare dhe duke shkaktuar rreth shtatë milionë vdekje.