Rend i ri në Botë, a jemi gati ne shqiptarët? – ANALIZA

spot_img

nga Edmond Arizaj

A ka Shqipëria ndonjë plan-reagim në rast se Serbia sulmon Kosovën? A ka Shqipëri-Kosovë ndonjë manual veprimi dhe bashkëveprimi në një skenar të tillë? Në ato mbledhjet midis qeverive përveç fotove e marrëveshjeve për berbera e kamariera, është hedhur ndonjë ide si do ruhet tërësia territoriale e Kosovës?

Sepse në dritë të zhvillimeve më të fundit, ky skenar ogurzi, nuk është më aq i pamendueshëm, po ta mendojmë mirë. Kosova mund të përdoret thjesht dhe vetëm si kërkohet psh gjatë një dreke tasi i kripës: Më jep kripën! Urdhëro! Dhe ata që e bëjnë këtë “bisedë” janë as më shumë e as më pak, por SHBA dhe Rusia.

Le të mos na gënjejë më mendja siç na kanë gënjyer deri sot se “s’kanë ç’na duhen armët, avionët e raketat, e ushtarët, sepse na mbron NATO”. Askush nga NATO, nuk do të lëvizi gishtin, nëse nuk e lëviz USA, për të mbrojtur Kosovën. Madje, mund të imagjinojmë se kjo do të nisë me një fushatë për sulmin e padrejtë që i është bërë Serbisë e për shkëputjen e padrejtë që iu bë Kosovës.

Ne do të qajmë për paaftësinë e drejtuesve shqiptarë gjithë këto vite, që menduan se tashmë u mbyll gjithçka, e filluan avazet e vjetra mes tyre, duke harruar gjërat e mëdha. Jo, jo, mos mendoni se do të jetë Turqia që do të verë dorën në zemër e gishtin në pushkë. Turqia është duke parë për perandorinë e saj, ashtu si po sheh Rusia, madje edhe USA nën hyqmin e Tramp.

Jemi të vegjël, të pafuqishëm, të pabrekë, dakort, por ama nuk do kemi fare-fare një përpjekje?! A nuk është koha, sigurisht nën dritën e zhvillimeve të reja që udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës, le të mos jenë vetëm kryeministrat, të lënë pordhët e të dalin së bashku? Edhe me plane, edhe me angazhime.

Besnikërinë që Serbia ka treguar gjithë këtë kohë ndaj Rusisë nuk e ka bërë që të festojnë Krishtlindjen së bashku. Evropa ka hallet e saj, se po del jashtë tortës së botës, Kosova prej tani mund te jetë hall vetem për shefat e sektorëve të drejtorive të pesta. Madje edhe për Shqipërinë mund të jetë e vështirë vëmendja. Thjesht, në botën e re që po ndryshon para syve tanë me shpejtësi, ku miqtë bëhen armiq e armiqtë miq, Shqipëria dhe Kosova duhet të ambientohen dhe orientohen edhe më me shpejtësi, sepse janë shumë të vogla për të mbijetuar nëse elefantët fillojnë e bëjnë dashuri.

Të shpresojmë se askush në Rusi nuk do na i marrë për të madhe ato deklaratat tona në OKB, apo të tjera takime. I mirë, i keq, absurd, i palogjikshëm, neo kolonizator, ekstremist…le t’i vëmë çfarë emri të duam, mund të jemi në prag të një rendi të ri botëror, e më duket se nuk jemi krejt të paprekshëm. Madje mund të jemi shumë shpejt të prekshëm.

Latest articles

Related articles