Zona e dyqaneve Duty Free në terminalin e aeorportit “Nënë Tereza” do t’i nënshtrohet një rikonceptimi të plotë me zgjerimin dhe modernizimin e të gjithë hapësirës komerciale. Një investim që shihet si hap i madh strategjik për të ardhmen, i cili do të nisë në mars falë partneritetit mes TIA-s dhe grupit Lagardère, një nga liderët botërorë në sektorin e blerjeve në udhëtim. Lagardère Travel Retail njoftoi këtë të premte nisjen zyrtare të operacioneve Duty Free në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke shënuar një moment historik në partneritetin strategjik me Grupin Kastrati.
Stanislav Beránek, Kryetar dhe CEO i Lagardère Travel Retail shprehet: “Jemi shumë të lumtur që sjellim ekspertizën tonë ndërkombëtare për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Ky partneritet me Grupin Kastrati pasqyron ambicien tonë të përbashkët për të krijuar përvoja të jashtëzakonshme të blerjeve për udhëtarët, duke ofruar më të mirën e ofertave ndërkombëtare dhe lokale.”
Charlotte Delmas, drejtore operacionale e performancës në Lagardere Travel Retail thotë se kompania ka “një strategji të qëndrueshme, e cila përfshin njerëzit, planetin, etikën dhe shoqërinë. Ne jemi shumë selektivë në produktet që vendosim në dyqanin tone Duty Free. Pra që të mos jenë të dëmshme për mjedisin dhe cilësore për klientët tanë”.
Ky partneritet vjen një moment kur Shqipëria po përjeton një bum të jashtëzakonshëm turistik me një numër record pasagjerësh në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës dhe me rritjen më të lartë të trafikut ajror në Evropë gjatë dy viteve të fundit, një arritje edhe për vetë grupin Kastrati prania e fortë e të cilit dhe portofoli i diversifikuar forcojnë edhe më shumë potencialin për sukses.
Marsida Pallko, administratore e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, e cilëson këtë një hap të rëndësishëm për TIA. “Bashkëpunimi me Lagardère Travel Retail është një hap i rëndësishëm për TIA-n. Ekspertiza dhe qasja e tyre inovative në sektorin e shitjeve, do të sjellë një përvojë të përmirësuar për pasagjerët. Jemi entuziastë për mundësitë që ky partneritet do të krijojë për Shqipërinë dhe për aeroportin, ndërsa vazhdojmë të rritemi.”
Me një eksperiencë mbi 60 vjeçare Lagardère Travel Retail do të bëjë të mundur rritjen e llojshmërisë së produkteve me çmime konkurruese në TIA, duke përfshirë marka ndërkombëtare dhe produkte autentike shqiptare. Po ashtu pas transferimit zyrtar të operacioneve në janar 2025, Lagardère Travel Retail do të nisë një program ambicioz të përmirësimit të përvojës së blerjeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Grupi Lagardère operon mbi 5 120 dyqane në 42 shtete, duke realizuar 6.6 miliardë euro shitje në vitin 2023 me një ekspertizë të gjatë dhe një fokus të veçantë në Duty Free & Fashion, produkte për udhëtim dhe kulinari.