Si çdo zgjedhje parlamentare, një herë në katër vite, Kryeministri dhe Qeveria vijnë me sihariqin e legalizimeve.
Është e çuditshme se si shqiptarët, me shumë sakrifica, ndërtuan çdo vit prona dhe shtëpi, por fushatat e legalizimeve bëhen një herë në katër vite, ose në më të mirën e rasteve një herë çdo dy vite.
Zakonisht disa muaj para zgjedhjeve fillojnë fushata intensive ku shteti nis të njohë investimin dhe djersën e popullit. Ashtu, me firma “fap e fap”, zyrtarët fillojnë dhe hapin dosjet e lëna për zvarrë prej 34 vitesh.
Si para një semafori në një kryqëzim të bllokuar, Kryeministri luan rolin e policit që le të kalojë pak e nga pak makinat, në trafikun mbingarkuar që ka krijuar vetë ai.
Duket si lajm i mirë dhe në fakt, për ato pak makina që arrijnë të kalojnë, është lajm i mirë. Të tjerat duhet të presin zgjedhjet e ardhshme.
Këto zgjedhje do bëjmë mirë që të kërkojmë tapitë tona në hipoteka, t’i marrim sepse janë djersa jonë.
Por duhet të kuptojmë se pas zgjedhjeve trafiku do bllokohet sërish, semafori nuk do punojë dhe polici do shkojë të pi kafe me të fortët e lagjes.
Prandaj, tapitë t’i marrim nëse mundemi, por të mendojmë edhe si ta heqim fare këtë polic trafiku të lodhur dhe në vend të tij të vendosim dikë që, më në fund, të rregullojë rrugët e bllokuara të burokracisë dhe semaforët e prishur të hipotekës dhe e-Albanisë.