Demokratët Euroatlantikë intensifikojnë përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa pritet që Këshilli Kombëtar të mblidhet më 10 shkurt për të miratuar kandidaturat e para për garën elektorale.
Sipas burimeve të redaksisë, kjo mbledhje konsiderohet një hap i rëndësishëm në strukturimin e ekipit dhe në konkretizimin e ofertës politike të Lulzim Bashës, e cila u prezantua për publikun më 1 qershor 2024. Programi elektoral i Demokratëve Euroatlantikë është ndërtuar mbi reformimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe mirëqenien e familjeve shqiptare, duke ofruar një alternativë qeverisëse ndaj qeverisjes aktuale.
Burime nga kampi demokrat euroatlantik konfirmojnë se kandidatët që do të përzgjidhen do të jenë figura të spikatura, me përfaqësim nga të gjitha shtresat e shoqërisë, duke reflektuar vizionin e kësaj force politike për një politikë të hapur dhe përfaqësuese.
Me afrimin e zgjedhjeve, gara politike në vend pritet të intensifikohet, ndërsa dalja në terren dhe prezantimi i kandidatëve do të jenë një moment kyç për të testuar mbështetjen e votuesve dhe për të ndërtuar një alternativë të fortë përballë qeverisjes aktuale.