OSBE-ja forcon përpjekjet e Shqipërisë për rikuperimin e aseteve

spot_img

Departamenti i Kërcënimeve Ndërkombëtare i OSBE-së dhe Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, së bashku me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan seminarin rreth rikuperimit dhe konfiskimin e zgjeruar të aseteve, më 28 dhe 29 janar 2025, në Tiranë.

Seminari mblodhi institucionet kryesore të përfshira në rikuperimin e aseteve si, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorë dhe gjyqtarë nga rrethet, Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi praktikat e mira ndërkombëtare dhe shqyrtuan raste studimore.

Forcimi i përdorimit të mekanizmave të konfiskimit të zgjeruar siguron që krimi të mos mbetet i pandëshkuar dhe që rikuperimi i aseteve të paligjshme të jetë efektiv, ndërsa konfiskimi i zgjeruar është mekanizëm i fuqishëm në ndërprerjen e veprimtarive kriminale pasi u lejon autoriteteve të konfiskojnë pasuri përtej atyre që janë të ardhura të drejtpërdrejta nga krimi.

Në fjalën e tij hapëse, ambasadori Michel Taran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi rolin kritik të rikuperimit të aseteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Përmes këtij seminari, synojmë të nxisim kuptim më të thellë të proceseve të konfiskimit të zgjeruar dhe rikuperimit të aseteve, të forcojmë bashkëpunimin institucional dhe t’u ofrojmë pjesëmarrësve mjete praktike për të shtuar përpjekjet e tyre në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar”, tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, theksoi se mbështetja për përpjekjet për rikuperimin e aseteve në Shqipëri është një hap më tej në zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe të Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe OSBE-së.

Seminari u zhvillua si pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të OSBE-së “Forcimi i përpjekjeve për rikuperimin e aseteve në rajonin e OSBE-së”, i cili financohet nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Latest articles

Related articles